Pasditen e nesërme në Shkodër do të zhvillohet një aktivitet shumë interesant me rastin e 100-vjetorit të lindjes së ish-portierit të Vllaznisë Halit Laçej. Fillimisht në fushën sportive “Reshit Rusi” në orën 15.00 do të zhvillohet kupa me emrin e tij me pjesmarrjen e disa ekipeve moshash ndërsa në orën 17.00 në sallën e Këshillit Bashkiak Shkodër do të zhvillohet edhe pjesa e dytë e kësaj veprimtarie që do të shoqërohet me shfaqjen e një dokumentari për jetën e tij dhe po ashtu, do të dorëzohet edhe një çmim i akorduar së fundmi nga FSHF.

Po kush është Halit Laçej?
I lindur në Shkodër në tetor të vitit 1917, ka nisur të merret që herët me futboll dhe në vvitet 1932-34 aktivizohet me shokët në ekipet e lagjeve të ndryshme të këtij qyteti. Më të mirët e skuadrave të lagjeve, u inkuadruan në shoqërinë “Bashkimi Sportiv Shkodran” ku luan si portier. Kjo skuadër më vonë do të merrte sërish emrin Vllaznia. Duke luajtur me këtë ekip përkrah emrave të tillë si Muc Koxhja, Ahmet Nuti, Bimo Fakja, Ernest Halepjani, Met Vasija etj, Haliti spikat me paraqitjet e tij. Merr pjesë edhe në disa ndeshje ndërkombëtare që ekipi shkodran zhvillon në ato vite me ekipe të ndryshme të Malit të Zi dhe Kosovës. Në vitin 1937 huazohet tek “Bardhyli” i Lezhës me të cilin shpallet kampion në kategorinë e dytë. Rikthehet sërish tek Vllaznia me të cilën luan deri në vitin 1940 dhe më pas, kalon bashkë me familjen e tij në Tiranë duke u inkuadruar në rradhët e ekipit me të njëjtin emër. Futbollin do ta ushtronte deri në vitin 1947. Por karriera e tij sportive nuk do mbyllej këtu sepse në vitet 1950 deri më 1965 do të ushtronte detyrën e arbitrit të futbollit duke qenë një emër i njohur në futbollin shqiptar përkrah emrave të tillë si Besim Hamdiu, Sami Kotherja, Hysen Hysenaj etj.
Halit Laçej është ndarë nga jeta më 20 nëntor të vitit 1998 në moshën 81 vjeçare duke lënë pas një emër shumë të mirë si në futbollin e luajtur ashtu edhe në arbitrim dhe për rrjedhojë aktiviteti i nesërm është shumë domethënës.

© shkodrasport.com