15 vjet më parë, më 16 tetor të vitit 2004, historia e klubit të Barcelonës dhe e futbollit botëror, ndryshoi plotësisht. Në derbin e fituar 1-0 ndaj Espanyol, te “blaugranat” debutoi zyrtarisht Lionel Messi. Djaloshi i artë argjentinas, për të cilin ishte folur gjatë, por askush nuk e kishte parë në aksion.
Pikërisht në atë moment, me 17-vjeçarin që zëvendësoi Deco-n në 8 minutat e fundit të lojës, Barcelona i prezantoi botës pesë herë fituesin e Topit të Artë, lojtarin që vendosi rekorde të një pas njëshme në “Camp Nou”.
Një histori e jashtëzakonshme suksesi, e cila vazhdon. Saktësisht në ditën e 15-vjetorit të debutimit mes profesionistëve, Mesi fitoi “Këpucën e Artë” për të gjashtën herë në karrierë. Me 36 rrjeta të realizuara, Leo ishte golashënuesi më i mirë në Europë i sezonit të kaluar, duke lënë mbrapa yllin e ri francez, Kylian Mbappe.