Rreth Mario Balotellit ka disa vite që bëhet shumë zhurmë për klasin e tij në fushën e lojës por edhe sjelljet jashtë saj. Megjithatë ajo që mbetet është se cilësitë e tij si futbollist janë për t’u vlerësuar.

Siç dihet, në sezonin e ri ky lojtar është bërë pjesë e ekipit të Breshias, ndërkohë që ditën e djeshme ajo ka zhvilluar një ndeshje miqësore me Mantovën, ekip ky i Seria D.

Po ndalemi tek kjo miqësore sepse përballë Balotellit ka qenë në fushë një futbollist shkodran. Bëhet fjalë për lojtarin Kevin Haveri i cili në sezonin e ri do të luajë për Mantovën.

Stafi teknik e ka vendosur futbollistin që pak ditë më vonë mbush 18 vjeç, në repartin e mbrojtjes dhe për rrjedhojë duelet me Balotellin nuk kanë qenë të pakta gjatë kësaj ndeshje dhe ish- futbollisti i AAS ia ka dalë të fitojë edhe duele me këtë futbollist të njohur.

Në pjesën e parë është fiksuar rezultati i barabartë 1-1, ndërsa në të dytën edhe pas zëvendësimeve të bëra, kuptohet që Breshia ka dominuar dhe ka fituar 5-1 por Balotelli sërish nuk ka arritur të shënojë asnjë gol.
www.shkodrasport.com