Në 12-javët e zhvilluara të kampionatit, ekipi i Vllaznisë ka treguar se ka vuajtur dhe është ndëshkuar pikërisht në 20-minutat e fundit të ndeshjeve. I vetmi përjashtim që mund të bëhet, është ndeshja e zhvilluar në Shkodër ndaj Kukësit, të cilën e fitoi në fund 2-1 dhe duke përjashtuar poashtu edhe dy ndeshjet e fundit.

Statistikat e deri dy javëve më parë tregonin në fundin e takimeve për një Vllazni të shthurur, sepse disa prej golave të pësuar deri më tani kanë ndodhur në 20-25-minutat e fundit.

Në fakt, nuk kanë qenë pak, por katër të tillë, që kanë sjellë që Vllaznia të humbasë jo pak pikë. Skuadra transformohej tërësisht në fund, duke lënë shumë hapësira dhe duke i dhënë mundësinë kundërshtarëve që ta kenë më të lehtë të shkojnë në rrugën e rrjetës.

Sjellja në pjesën e fundit të ndeshjes është një defekt që duhet riparuar dhe rregulluar medoemos kur ekipi të dalë në fushë pas pushimeve, më konkretisht në rinisje të kampionatit, pasi në të kundërt do ta kenë shumë të vështirë të arrijnë te vendi i parë.

Në total, Vllaznia gjatë pjesës së parë ka shënuar shtatë herë, ndërsa në të dytën pesë, duke qenë pak a shumë e balancuar. E njëjta gjë nuk mund të thuhet për rrjetat e pësuara, teksa në të parën ka pësuar tre gola, ndërsa në fraksionin e dytë plot nëntë të tillë.

Nga ana tjetër, Vllaznia duket se është më efikase në pjesën e parë. Shkodranët e nisin mirë ndeshjen, teksa nga 12 gola të shënuar, shtatë të tillë janë realizuar në 45-minutëshin e parë.

Ndërkohë, po në pjesën e parë kanë pësuar vetëm tre gola. Sa i përket pjesës së dytë, shkodranët kanë shënuar pesë herë dhe kanë pësuar plot nëntë gola, duke mos qenë shumë të balancuar në këtë aspekt. Problem fizik apo problem psikologjik, kjo ende nuk është evidentuar as nga vetë trajneri Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI