Shqipëria do të jetë vend organizator në Europianin U-21 të vitit 2027. Katër stadiume janë projektuar për të pritur ndeshjet finale. UEFA e kishte dje vizitën e parë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Gjatë katër ditëve do të vizitohen edhe tre stadiume të tjera ku do të luhen ndeshje. Konkretisht “Air Albania”, “Arena e Demave” dhe “Elbasan Arena”. Delegacioni përbëhet nga 20 ekspertë dhe zyrtarë të UEFA-s.
Njoftimi i FSHF-së:
“Një delegacion i UEFA-s ka mbërritur në Shqipëri për një vizitë zyrtare inspektuese në kuadër të përgatitjeve për finalet e Kampionatit Europian U-21 2027, ku vendi ynë do të jetë mikpritës i një prej eventeve më të rëndësishme të futbollit europian për të rinj.
Vizita ka nisur nga stadiumi “Loro Boriçi”, ku përfaqësuesit e UEFA-s, së bashku me stafin organizativ të Federatës Shqiptare të Futbollit, kanë zhvilluar një inspektim të detajuar të të gjitha ambienteve të stadiumit. Delegacioni, i përbërë nga rreth 20 ekspertë dhe zyrtarë, është ndarë në grupe pune për të verifikuar nga afër çdo komponent organizativ dhe infrastrukturor.
Gjatë katër ditëve të vizitës do të inspektohen gjithashtu edhe stadiumet “Elbasan Arena”, “Air Albania” dhe “Arena e Demave”, të përzgjedhura për të pritur ndeshjet e këtij kampionati.
Në një prononcim për fshf.org, përgjegjësja e projektit Euro U-21 2027 në FSHF, Evia Kumria, vlerësoi ecurinë e vizitës inspektuese dhe theksoi rëndësinë e kësaj faze në procesin e përgatitjeve për turneun final.
“Kjo është vizita e dytë që zhvillohet në kuadër të Kampionatit Europian U-21 2027. Këtë herë delegacioni ka qenë më i zgjeruar, me përfaqësues nga UEFA dhe FSHF. Kemi qenë rreth 20 persona, të ndarë në tre grupe të ndryshme, që kanë inspektuar pjesë të ndryshëm të stadiumit “Loro Boriçi”. Kemi identifikuar nevojat që duhet të plotësohen deri në organizimin e kampionatit në vitin 2027. Në përgjithësi, vizita ka qenë shumë e suksesshme. Ky inspektim zgjat katër ditë dhe do të vizitohen të katërt stadiumet që do të mirëpresin Kampionatin Europian”, – tha Evia Kumria.
Kjo fazë inspektimi përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përgatitjeve, duke konfirmuar angazhimin e FSHF-së për të përmbushur çdo standard organizativ dhe infrastrukturor, në funksion të një Europiani U-21 të organizuar me profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me kërkesat e UEFA-s”.


