Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të organizojë në muajin maj seleksionime me futbollistët shqiptarë të talentuar, të cilët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kjo do të jetë gjithashtu hera e parë që seleksionimet e lojtarëve, të cilët mund të jenë pjesë e ekipeve kombëtare shtrihet në Amerikën e Veriut, ku duhet të theksohet se prej vitesh jeton një komunitet i madh shqiptarësh dhe ku ka shumë të rinj të cilët aktivizohen me ekipe futbolli.

Seleksionimet janë të fokusuara te lojtarët e vitlindjeve 2005-2006-2007-2008-2009, ndërsa është i hapur edhe futbollistet vajza pa kufizime moshe.

Për të marrë pjesë në seleksionime, të interesuarit duhet të dërgojnë disa të dhëna nëpërmjet adresës së e-mailit seleksionime@fshf.al ku të specifikojnë emrin, mbiemrin, datëlindjen, klubin ku aktivizohen, pozicionin e saktë në fushë, uebin zyrtar të klubit ku luajnë, pasaportën që zotërojnë dhe në të njëjtën kohë të dorëzojnë dhe një numër kontakti.

Këto të dhëna do të mblidhen dhe analizohen nga skautët e Federatës Shqiptare të Futbollit në SHBA së bashku me Departamentin e Ekipeve Kombëtare në FSHF dhe më pas lojtarët e përzgjedhur për të qenë pjesë e këtyre seleksionimeve do të lajmërohen nga Departamenti për datat dhe vendin ku do të mbahet kampingu.

Ky seleksionim vjen si një rrjedhojë e kërkesave të komunitetit shqiptar në SHBA dhe rritjes së numrit të lojtarëve të perspektivës jetojnë atje, të cilët duan të provojnë shanset për të veshur fanellën kuqezi të Kombëtares. I gjithë procesi do të ndiqet nga specialistët dhe stafet e ekipeve kombëtare të moshave, të cilët do të monitorojnë në detaje të dhënat dhe aftësitë e lojtarëve të ftuar.

Kësisoj, duke i testuar në tokën amerikane, ku do të jetë më e lehtë për t’u grumbulluar, Departamenti i Ekipeve Kombëtare në FSHF do të krijojë një ide më të qarta për elementët që duhen mbajtur në vëzhgim dhe me synimin për të afruar lojtarë të rinj në ekipet kombëtare të moshave.