Futbolli nuk është një nga ata “thrillerat” klasikë ku tri të dhëna bëjnë një provë, por pakënaqësia e Jose Mourinhos te Roma, diçka që e ka shprehur edhe pas fitoreve si ajo ndaj Empolit, duket gjithnjë e më evidente.

Në këtë mënyrë nuk surprizon fakti që në Angli janë kthyer të fortë zërat që e shikojnë trajnerin portugez sërish në një stol të Premier League në sezonin e ardhshëm. Më pak fjalë, një “yll” i trajnerëve në kampionatin e yjeve.

Kështu, portali “Givemesport” ka publikuar prapaskenën që po qarkullon prej disa ditësh, “The Special One” dëshiron të rikthehet për herë të tretë në stolin e Chelsea-t.

Në krahasim me atë që mund t’i ofrojë në merkato Roma, e lidhur pas marrëveshjes me UEFA-n që i kufizon shpenzimet, kapacitetet e shpenzimeve të klubit londinez janë shumë herë më të mëdha, por, pavarësisht fushatës faraonike të blerjeve, trajneri Graham Potter nuk po bind dhe në fund të sezonit mund të pushohet.

Vlen të kujtohet se Mourinho, që në Londër ka shtëpinë e tij të dytë, ka shkruar historinë e bluve dhe tifozët e dinë mirë. Për më tepër, pronari i vjetër, Abramovich, nuk është më dhe pronarët e rinj duken të ndjeshëm ndaj miklimit që ofron portugezi.

Mediat britanike shkruajnë se kontakte direkte ende nuk ka pasur, por burimet angleze zbulojnë se menaxheri i tij, Jorge Mendes, është ai që ka nisur misionin për llogari të Mourinhos. E sigurt është se Mourinho ka ambicie të mëdha, që për momentin vështirë se Roma mund t’ia plotësojë.