Largimi i njerëzve nga Shqipëria vazhdon çdo ditë e më shumë. Nëse në fillimin e viteve ’90 u larguan shumë njerëz që nuk e gjenin veten këtu dhe nuk kishin një të ardhmen, tashmë po largohen intelektualët. Mes tyre edhe njerëzit e sportit.

Pak kohë më parë u larguan drejt Kanadasë Alban Volumi dhe Ilir Dibra e tashmë rradha është për trajnerin e njohur të atletikës Fatjon Serhati.

Në orët e para të mëngjesit të nesërm, ai bashkë me familjen e tij do të fluturojnë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vend ku do të vazhdojë jetën e tij tani e tutje.

Por Serhati nuk do të jetë i vetmi. Pas tij janë gati edhe dy trajnerë të tjerë të njohur që punojnë tek Sportklub Vllaznia që “kanë bërë gati valixhet”. Kësisoj, ato janë larguar që do krijojnë një boshllëk të madh sepse kanë investuar prej vitesh në drejtim të rritjes profesionale dhe i kanë dhuruar jo pak suksese Shkodrës dhe Shqipërisë.

Fatjon Serhati para largimit ka dhënë një intervistë për “Shkodra Sport” ku rrëfen me keqadhje arsyet që e çuan në këtë vendimarrje shumë të vështirë.

“Më vjen keq që e mbylli duke qenë në majë të karrierës time si trajner, por ndoshta më mirë kështu sepse do të mbesin vetëm kujtimet e bukura.

Më vjen keq që karriera ime mbyllet këtu, ana njerëzore e imja është duke e vuajtur në këto momente këtë gjë, por më vjen mirë që puna dhe sukseset e mia po arshivohen, dikush po kujtohet për to. Gjithsesi nuk ma kishte marrë mendja se në moshën 37 vjeçare do të kisha bërë kaq shumë sa kam bërë.

Nuk mund të them se isha keq në Shqipëri, por mendoj se e ardhmja ime do të jetë më e mirë atje ku jam duke shkuar. Dikush mund të thotë: Pse po ik, je me punë, je rehat, por dikush mesa duket e paska nxjerr në modë largimin nga vendi yt dhe unë thjesht, po ndjeki modën. Megjithatë, unë asnjëherë nuk kam për t’i humbur lidhjet me Shqipërinë dhe Shkodrën”- ka deklaruar Fatjon Serhati.
Gjergj KOLA