Sokol Kushta mund të flasë në çdo moment dhe për çdo gjë që ka të bëjë me Kombëtaren, sepse këtë status e ka fituar përjetësisht me kontributin që ka dhënë për kuqezinjtë dhe gjithashtu në rang klubesh si pjesë e Flamurtarit dhe Partizanit në kampionatin shqiptar. Por, ndeshja me Moldavinë ka sjellë edhe një arsye tjetër për ta intervistuar, sepse mesa duket, Sokolët tanë (Kushta dhe Cikalleshi), janë ata që i bëjnë më shumë dëme këtij ekipi. Tri herë ka shënuar Kushta në vitin 1995 dhe dy herë Cikalleshi në ndeshjet e luajtura në 2019-ën.

kushtaLegjenda e futbollit vlonjat kujton ndeshjen e 28 viteve më parë në Moldavi, si më të veçantë, pasi ishte hera e parë që arrihej një fitore jashtë fushës (2-3). Në intervistën ekskluzive për “Panorama Sport”, Kushta ndihet krenar që ka ndihmuar skuadrën me gola.

Edhe Sokoli i vogël, siç e quan ai Cikalleshin, ka intuitë, ndërsa është një koincidencë e bukur. Ndërsa Sadikun e cilëson si një nga kolonat e Kombëtares. Kushta zbulon se është fans i trajnerit Silvinjo, pasi braziliani ka bashkuar skuadrën. Për dy përballjet e radhës, ish-sulmuesi thotë se fitorja është detyrim.

Kushta, Moldavia duket si peshë e lehtë për Kombëtaren tonë, pasi precedentët flasin për Shqipërinë. Ju u keni shënuar tre gola në dy ndeshje moldavëve, çfarë kujtoni?

Nuk mund të themi që futbolli është i lehtë apo i rëndë. Për mua pikët janë njësoj dhe mendoj se nuk ka vend në futboll një perceptim i tillë. Prandaj, neve na duhet që të vlerësojmë çdo ekip me qëllim që të ecim përpara. Fitorja në Moldavi në vitin 1995 ishte e veçantë. Ka qenë e tillë, sepse ishte hera e parë që fitonte Kombëtarja jashtë fushe në eliminatore. Unë ndihesha mirë sa herë shënoja gol, pasi detyra ime ajo ishte. Në këto kushte, jam i lumtur sot që shumë gola, të cilët unë kam shënuar, kanë ndihmuar Kombëtaren në pikët që ka marrë.


Si është kjo puna e golit kundër Moldavisë, pasi dy Sokolë, ju dhe Cikalleshi, i keni shënuar 5 herë. Mos ndoshta duhet të kesh emrin Sokol për të realizuar ndaj këtij kundërshtari…?

Edhe Sokoli i vogël ka shumë intuitë për gola. Ai e ka treguar këtë gjë në kaq kohë sa ka në Kombëtaren shqiptare. Koincidencë e bukur kjo gjë…


Sot Shqipëria luan ndeshjen e dytë të këtyre kualifikueseve kundër Moldavisë, si e shihni këtë përballje?

Unë them që fitorja është detyrim, por pa mendjemadhësi.


Gjithmonë kemi vuajtur kundër ekipeve që mbyllen mbrapa. Çfarë duhet të bëjë ekipi kombëtar në këtë sfidë?

Shiko, gjëja më e mirë është afrimi i lojtarëve nga kampionati shqiptar. Kjo ka dy të mira që i jep vlerë Superiores, sepse lojtarët këtu mobilizohen të kapin Kombëtaren për një të ardhme më të mirë në Europë.

E kemi parë Silvinjon të drejtojë vetëm në ndeshjen ndaj Polonisë, çfarë përshtypje ju ka lënë trajneri dhe skema e lojës që ka përdorur?

Unë e kam ndjekur Silvinjon. Për mendimin tim ai është trajneri i parë që jeton dhe njihet nga afër me Kombëtaren dhe Shqipërinë. Është gjë e madhe të njohësh traditat, kulturën, mentalitetin dhe edukatën shqiptare nga afër. Gjithashtu përballjen me lojtarët ai po e bën si një psikolog i mirë. Po i bashkon lojtarët. Do të më vijë keq të mos i shkojë mirë, pasi personalisht jam fans i tij.


Janë afruar emra të rinj si Jasir Asani dhe Anis Mehmeti, ndërsa është rikthyer Armando Sadiku në Kombëtare…

Në bazë të vlerave që ka, mendoj se Rrapaj i Partizanit duhet të ishte në Kombëtare. Është një lojtar me shumë vlera, si për Partizanin, por edhe për Kombëtaren. Ndërsa për Sadikun, nuk kam çfarë të them. Ai është një nga kolonat e Kombëtares, thjesht u rikthye në shtëpi dhe vlerat do t’i tregojë në fushë. Bravo Silvinjos që i dha mundësinë.


Pas Moldavisë luajmë në transfertë me Ishujt Faroe, sa e vështirë mund të jetë?

Në letër janë dy ndeshje të lehta, por duhet të kenë kujdes nga të lehtat, pasi ne gjithmonë me ato zhgënjejmë.


A janë këto dy ndeshje vendimtare për shanset që kemi për një kualifikim në Europian?

Shanset i kanë vetë në dorë. Duhet pasur kujdes, pasi janë dy ndeshje dhe 6 pikë në lojë. I uroj suksese Kombëtares!