Vllaznia duhet të ndryshojë sa më parë mënyrën e drejtimit të klubit. Kjo është thirrja që bën një nga futbollistët që ka shkruar historinë e këtij klubi me golat e tij, pikërisht shënuesi më I mirë I të gjitha kohërave për kuqeblutë Vioresin Sinani. Sot ai është larg skuadrës por e ndjek rregullisht ecurinë e saj. Ashtu si gjithë të tjerët, edhe ai ka mbetur I zhgënjyer nga paraqitja e saj në sezonin e fundit e këtë ai e thotë edhe në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com kur thotë:

“E kam ndjekur rregullisht Vllazninë në sezonin e fundit dhe të themi që ishte sukses mosrënia nga kategoria, sigurisht që të gjithë do qeshin sepse ky nuk është objektivi real i kësaj skuadre. Megjithatë për vetë mënyrën si shkuan gjërat, mund të quhet sukses sepse mund të kishte ndodhur edhe ndryshe. Gjithë peripecitë e këtij sezoni, jam i bindur se do t’i shërbejnë si mësim drejtuesve aktualë të klubit, për t’i bërë gjërat ndryshe në sezonin e ri”. I pyetur, se kush mendon që mund ta drejtojë më mirë Vllazninë, një shqiptar apo I huaj, pra kompania zviceriane “Gea Sport” apo ish- presidenti Fushaj, Sinani përgjigjet se vetëm ka lexuar ato çfarë shkruhen në media dhe nuk ka shumë dijeni për firmat e interesuara. E rëndësishme sipas tij është që të përzgjidhet njeriu që do të bëjë më të mirën për klubi. “Nuk kam shumë dijeni për ofertat dhe mënyrën ligjore të tyre. E rëndësishme është që Bashkia të heqë dorë një orë e më parë nga Vllaznia por këtë ta bëjë për një kompani apo individ shumë serioz që do të mendojë për të ardhmen e këtij klubi, për ta ngritur atë sërish në nivele të larta”- ka thënë ish- sulmuesi i njohur.Vioresin Sinani është golashënuesi më I mirë në historinë e klubit Vllaznia me mbi 200 gola të shënuar për të, nga të cilët vetëm në kampionat ka shënuar 180 dhe prandaj fjala e tij duhet dëgjuar. Ashtu si dhe e shumë veteranëve të tjerë të sportit që duan ta shohin sa më mirë këtë skuadër.

Gjergj KOLA