Ardit Hoxhaj është shënuesi më i mirë në Superiore deri më tani, me 7 gola të shënuar. Paraqitjet e tij nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe nga klube të huaja, madje vlonjati ka marrë edhe një ofertë konkrete nga Boluspor.

Diçka e tillë u zbulua në emisionin Pressing në ABC mbrëmjen e djeshme. “Më njoftojnë se Vllaznia ka refuzuar një ofertë të Boluspor për Ardit Hoxhajn. Janë disa menaxherë që më dërgojnë mesazhe dhe që për etikë nuk dua t’u zbuloj emra.

Ka që më thonë nuk ka pasur ofertë. Ka që thonë që ka përdorur klauzolën prej 25 mijë eurosh. Gjithsesi më kanë nisur faksimilen e ofertës me shifra konkrete”, u shpreh moderatori dhe gazetari Gerti Çarçani.

Oferta për Hoxhajn ka qenë mjaft e mirë, çka zbulohet edhe në dokumentin e siguruar nga ABC. Boluspor i ofronte vlonjatit një kontratë për 2.5 vite.

Prej saj sulmuesi do të përfitonte 250 mijë euro paga, plus që në të përfshihen bonuse të rëndësishme që lidhen me golat e asistet, si dhe ngjitjen në Superligë, që kapin shifrën e 35 mijë eurove. / abcnews/