✍️ Shkruar nga “Shkodra Sport”
Vllaznia në futboll për femra vijon rrugën e sukseseve në kampionat. Pasditen e sotme ajo ka fituar me rezultatin e thellë 15-0 ndaj ekipit të Lushnjës, në ndeshjen e luajtur në këtë qytet.
Duhet thënë se ka qenë një ndeshje pa shumë histori sepse diferenca në mes dy ekipeve është shumë e madhe dhe kjo e pa qartë në fushën e lojës. Futbollistet shkodrane nuk e kanë patur aspak të vështirë të shënojnë një “dyzinë” golash.
Në pjesën e parë ka shënuar 9 të tillë dhe atyre u ka shtuar edhe 6 të tjerë në pjesën e dytë duke e kompletuar në këtë mënyrë këtë fitore shumë të thellë. Protagonistja kryesore e këtij suksesi do të ishte si zakonisht kapitenia Megi Doçi e cila do të shënonte plot 7 gola në këtë takim.
Nga dy gola kanë shënuar Groves dhe Montenegro, ndërsa kanë vënë “firmën” e tyre si golashënuese edhe futbollistet Madril, Klaudia Borci, Suzana Vuksani dhe Marinela Ndoci. Përfundimisht 15-0 për Vllazninë e drejtuar nga trajneri Nikolin Leka.
Kjo ishte fitorja e tretë për të, në po kaq ndeshje të luajtura dhe ka grumbulluar 9 pikë dhe për momentin ndodhet në vendin e tretë të renditjes, sepse ka një dhe dy ndeshje më pak të luajtura se Gramshi dhe Apolonia. Por çështja e kreut është thjesht punë kohe, deri tek përballjet direkte.
Burimi: Gazeta “Shkodra Sport”







