Janë vetëm 10 skuadra, por e bënë merkaton e verës të çmendur, me një shifër rekord lëvizjesh, plot 262. Më 5 shtator në orën 24:00 ishte afati i fundit për transferimet e lojtarëve në klubet e Kategorisë Superiore dhe tashmë, në një vëzhgim të bërë nga “Panorama Sport” rezulton se 10 ekipet që marrin pjesë këtë sezon në kampionatin e 83-të që starton sot me kryendeshjen Teuta-Partizani, kanë zyrtarizuar 136 afrime dhe 126 largime.

Pra, në total janë 262 lëvizje në hyrje dhe dalje, një shifër pa diskutim rekord sa u përket viteve të fundit. Skuadra që ribëhen nga e para për shkak se vijnë nga një sezon larg pritshmërive, por edhe klube që humbin besimin dhe befas bëjnë një revolucion të vërtetë.

Dinamo e rikthyer në Superiore pas gati një dekade jashtë saj është shembulli më i qartë se një ekip ndërtohet nga e para. Besojeni apo jo, por blutë kanë afruar në këtë sesion të merkatos 23 lojtarë, ndërsa nga skuadra që riktheu në elitë klubin, u larguan 18 të tillë.

Sindroma e shumë lëvizjeve ka kapur thuajse gjithë Superioren, me shifra jo të logjikshme në hyrje dhe dalje, duke filluar nga Teuta, Partizani, Laçi, Vllaznia, Kukësi, Kastrioti dhe deri tek Egnatia që u ngjit në Superiore pas 16 vitesh. Përveç Dinamos që ka bërë një ekip nga e para, rekord transferimesh pati edhe Partizani këtë verë, me 18 afrime dhe 17 largime.

Mirëpo, në një situatë ku ndryshimet u bënë gati-gati të pakuptimta në klubet që e mbyllën në zonën e Europës gjatë sezonit të fundit, pati edhe nga ato skuadra që punuan me një strategji ndryshe në merkato, duke ruajtur grupin dhe duke bërë afrime të studiuara për ta fuqizuar atë. Shembulli konkret është Skënderbeu, që afroi 7 lojtarë dhe largoi 9, nga të cilët vetëm 2-3 ishin titullarë.