Shqipëria U21 do të luajë ditën e nesërme një miqësore luksi, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Francës U21. Natyrisht, për kuqezinjtë do të jetë një takim mjaft i vështirë duke qenë se luajnë ndaj një kundërshtari që renditet në vendin e tretë si skuadra më e mirë në botë, karshi vendit të 64 që mbahet nga ekipi ynë.
Diferencat mes dy skuadrave, janë jo vetëm në renditje por edhe në vlerë monetare, duke pasur një ndryshim të madh mes dy ekipeve. Në vlerë totale, skuadra e Francës U21 që merr pjesë në eliminatoret për Euro 2021 kushton plot 353.75 milionë euro, duke hequr këtu disa nga futbollistët që këtë ndeshje nuk janë me të rinjtë por me ekipin e parë.
Megjithatë, bashkë me vlerën e ulur për shkak largimesh, diferencat mbeten të frikshme. Shqipëria U21 e ka vlerën vetëm 3.6 milionë euro dhe në ekipin e Francës, vetëm 2 futbollistë kushtojnë më pak se vlera totale e Shqipërisë. Portieri i tretë kushton 1 milionë euro dhe Kelvin Amian i Tuluzës kushton 3 milionë euro.
Futbolli shpesh herë ka treguar se vlerat monetare janë vetëm në merkato pasi fusha ka vërtetuar të kundërtën duke sjellë jo pak rezultate befasuese. Edhe për Shqipërinë, natyrisht ekziston shpresa e një befasie në Francë e cila megjithëse vetëm miqësore, do të rriste prestigjin e skuadrës. /EVipSport/