Reklama është shpirti i biznesit. Në kohët e sotme quhet marketing, por kuptimi është i njëjtë. Sa më shumë një gjë të kërkohet, aq më shumë vlerë ka. Nuk është një rastësi që në futboll janë kampionët e mëdhenj ata që tërheqin qindra mijëra njerëz, të cilët mbushin stadiumet për të parë Messi-n, Ronaldo-n ose Mbappe-në.

Më pas është një skuadër e tërë kaq shumë tërheqëse, sa garanton mbushjen plot të stadiumeve kudo që luan. Nuk është një rastësi, në fakt, që Brazili, sigurisht kombëtarja më e njohur në botë, të ketë luajtur miqësore pothuajse kudo, por shumë pak në shtëpi.

Pse miqësorja Brazil-Uruguai u luajt në Londër? Për t’i kursyer rrugën lojtarëve që luajnë në Europë? Jo, natyrisht arsyeja është ekonomike. Siç ka bërë të ditur “Daily Mail”, miqësorja me “Celeste”-n është vetëm një nga çeqet e shumta që kombëtarja braziliane siguron duke luajtur miqësore nëpër botë.

Është një lloj turi botëror që, nga 2012-ta e deri tani, ka dërguar “Seleçao”- n në 18 vende të ndryshme, nga Australia në Kinë, deri në Afrikën e Jugut. E gjitha kjo për shuma që mund të arrijnë deri në 3 milionë dollarë për ndeshje. Ky është çmimi që organizatorët janë të gatshëm të paguajnë për të parë Neymar me shokë në vendin e tyrë. Një biznes që mbush xhepat e kombëtares braziliane, por jo vetëm.

Bëhet fjalë për një shpenzim të llogaritur mirë, siç tregojnë të dhënat stratosferike të ndeshjeve që Brazili ka luajtur në vende të pazakonshme. Miqësorja Brazil-Argjentinë e luajtur në 2017-ën në Melburn ka tërhequr pothuajse njëqindmijë spektatorë (95.969 më saktësisht). Dhe fakti që janë të shumtë atë që preferojnë kampionë ekzotikë para kombëtares së tyre tregohet nga miqësorja pasuese.

Brazil-Australi, që është luajtur në të njëjtin impiant pak ditë më mbrapa, ka patur rreth 50.000 spektatorë. Po në Brazil? “Seleçao” luan shumë pak në shtëpi. Vetëm nëntë nga 45 miqësoret e fundit janë luajtur atje. E fundit ka q enë në janar të 2017-ës, një ndeshje kundër Kolumbisë, që është zhvilluar në Stadiumin Olimpik të Rios. Dhe nga 46 mijë biletat që kanë qenë në dispozicion janë shitur vetëm 18 mijë. Kjo shpjegon pse federata braziliane kërkon gjithmonë të luajë në transfertë./telesport/