Kombëtarja e femrave në basketboll është mundur sot në mbrëmje 139-27 nga Hungaria, në ndeshjen e vlefshme për Women Eurobasket 2019, sfidë e luajtur në sallën e lojërave “Feti Borova” pranë Tirana Olimpik Park dhe e vlefshme për Grupin C eliminator. Kjo është humbja e pestë e Shqipërisë në këto eliminatore të Europianit në po kaq takime të luajtura, një tjetër humbje turpëruese e kombëtares kuqezi, që në të gjitha ndeshjet e zhvilluara ka pësuar disfata të rënda.

Shqipëri – Hungari, 27-139 (11-28, 8-31, 2-41, 6-39)

Një humbje që pritej, por ndoshta jo në këto shifra, duke parë që luhej në Tiranë dhe vetëm 27 pikë të realizuara nga basketbollistet kuqezi janë vërtet shumë pak. Një humbje që konfirmon se basketbolli i femrave në vendin tonë është në një nivel shumë amator, pavarësisht blerjeve të lojtareve të huaja që bëhen nga ekipet, që më shumë luajnë për kampionatizëm se sa për të “shpëtuar” basketbollin nga gjendja e rëndë.

Shqipëria: E.Bujari, Hasanaj, Sinani, Toska, Verri, Aliaj (6), G.Bujari (9), Gjoni, Lalaj (8), Palko, Xhanaj (4), Zykaj. Trajner: Viron Toska

Shifrat e këtij takimi flasin qartë për atë që ndodhi në fushë, një Shqipëri krejtësisht amatore, sa në 10-minutëshin e tretë mezi realizoi 2 pikë, sa për të evituar një “zero” të turpshme nga protokolli. Hungaria luajti gjatë gjithë kohës njësoj, në sulm dhe duke bërë presing, ndërsa gabimet e kombëtares shqiptare ishin të shumta, të shpeshta dhe foshnjarake. Kombëtarja ka edhe një ndeshje të fundit në këtë turne Europian, atë të 21 nëntorit në Lituani ndaj kombëtares vendase.

Ndeshjet e Shqipërisë në Grupin C

Shqipëri – Rusi, 37-122

Hungari – Shqipëri, 137-48

Shqipëri – Lituani, 61-119

Rusi – Shqipëri, 148-35

Shqipëri – Hungari, 27-139

21 nëntor, Lituani – Shqipëri, ora 17:30