Java e 33-të e Superiores do marrë formën ditën e nesërme ku skuadrat e elitës së futbollit tonë do zbresin të gjitha në fushë. Dueli më i fortë në këtë javë patjetër që do jetë derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. E ndërsa një ndeshje shumë të rëndësishme do ketë edhe Vllaznia, që po tenton të kapë një vend për kupat e Europës.

Shkodranët do presin në ‘Loro Boriçi’ ekipin e Teutës, ku edhe durrsakët kanë ende ambicie për Europën dhe shumëçka pritet të vendoset nesër në Shkodër. Statistikat e ndeshjeve të fundit në shtëpi përballë Teutës tregojnë për një dominim të Vllaznisë dhe te gjithë duan që kjo formë e shkodranëve të vijojë ndaj ‘djemëve të detit’.

Duke u nisur nga dueli i fazës së parë në Shkodër që përfundoi në shifrat e thella 4-0 për Vllazninë, duke qenë fitorja më e thellë në këtë edicion për kuqeblutë. Po ashtu në sezonin e shkuar, Vllaznia fitonte 4-2 dhe barazonte 1-1 në dy ndeshjet e zhvilluara në Shkodër. Në sezonin 2020-21, Vllaznia fitonte 1-0 dhe barazonte 0-0 ndaj bregdetarëve.

Fitorja e fundit e Teutës në Shkodër në kampionat daton më 28.06.2020, ku triumfonin 0-3 në ‘Loro Boriçi’. Pra 3 vite pa një fitore në Shkodër për Teutën që patjetër kësaj rradhe do kërkojë ta prishë këtë traditë negative. Duke parë edhe objektivst që kanë vetë durrsakët në këtë fund edicioni.
Endri ÇINARI