Nga Endri ÇINARI

Vllaznia do e mbyllë fazën e parë të kampionatit ndaj Skënderbeut. Takim që do zhvillohet fundjavën tjetër për shkak të impenjimit të kombëtares shqiptare. Një duel që do luhet në Shkodër dhe ku detyra për kuqeblutë është e qartë. Kthimi tek fitorja për të dalë nga kriza e rezultateve.

Dhe statistikat ndaj korçarëve në vitet e fundit flasin për shkodranët. Në 3 vitet e fundit ka një dominim të kuqebluve ndaj “ujqërve”. Ku numërohen 6 suksese dhe 3 barazime në 9 ndeshjet e fundit. Ku patjetër ajo që mbetet për tu përmendur është finalja e kupës në vitin 2021. Ku Vllaznia fitonte 1-0 falë një goli të Da Silvas.

Suksesi i fundit i korçarëve ndaj Vllaznisë daton më 11.07.2020, ku bardhekuqtë fitonin 2-1. Dhe do ishte një gol i shkodranit Belajdi Pusi për juglindorët që do i jepte fitoren e fundit ndaj Vllaznisë. Pra një periudhë prej 3 vitesh ku shkodranët nuk njohin disfatë ndaj një kundërshtari të tillë.

Patjetër që një traditë të tillë do duan ta vijojnë edhe fundjavën tjetër. Ku nga të gjithë tifozët shkodranë pritet kthesa e skuadrës dhe reagimi pas disa rezultateve jo aq pozitive së fundmi.