Që prej ndërprerjes së kampionatit sh qiptar më 13 mars, lojtarët dhe trajnerët e huaj që janë pjesë e klubeve të Kategorisë Superiore, e gjithashtu ata nga Kosova apo shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, shfrytëzuan momentin për të shkuar pranë familjeve të tyre kur ende nuk ishin mbyllur kufijtë.

Në një vëzhgim të “Panorama Sport”, rezulton se 33 përfaqësues të klubeve të Superiores kanë qenë jashtë Shqipërisë nga mesi i muajit mars dhe deri më tani. Natyrisht, ka edhe nga ata të huaj në klube si Tirana, Laçi, Partizani dhe Bylisi që preferuan të qëndrojnë në Shqipëri në këtë periudhë pandemie.

Në fakt, shumica u “dogjën” për shkak të bllokimit të kufijve dhe pamundësisë për të udhëtuar drejt vendeve të tyre me linja ajrore. Në këtë situatë të pazakontë, askush nuk e kishte menduar se për t’u rikthyer sërish në Shqipëri, duhet t’i nënshtroheshin një karantine të detyruar prej rregullave që u vendosën pas përhapjes së Koronavirusit.

I pari që e provoi këtë ishte sulmuesi i Kukësit, Vasil Shkurtaj, i cili qëndroi 45 ditë i ngujuar në Spanjë. Pas rikthimit në Shqipëri, Shkurtajt iu desh të akomodohej për 14 ditë të tjera në një hotel në Durrës për të zbatuar rregullat e karantinimit.

Mirëpo, cilat janë klubet më të prekura dhe më të avantazhuara nga kjo situatë? Në vëzhgimin e gazetës, duket qartë se ekipe si Kukësi e Skënderbeu janë më të dëmtuarat në këtë histori, pasi nga 7 pjesëtarë të tyre kanë qenë jashtë Shqipërisë. Po ashtu edhe Vllaznia e Teuta kane pasur pesë futbollistë jashtë vendit në këtë periudhë. Tek skuadra shkodrane jashte kane mbetur trajneri Jonuz dhe kater maqedonasit, Adili, Gligorov, Efremov dhe Hristov.

Sipas ligjit të vendosur për pandeminë, çdo shtetas që vjen nga jashtë në këtë moment, duhet të qëndrojë 14 ditë në karantinë. Kjo ua bën edhe më të vështirë skuadrave, pasi tashmë u vendos data 3 qershor për rifillimin e kampionatit. Gjithsesi, ka edhe nga ato skuadra që nuk e ndiejnë këtë problematikë. Tirana mund të quhet me fat, pasi asnjë i huaj nuk u largua.

E njëjta gjë mund të thuhet për Bylisin, që ka shumë lojtarë të huaj, por në këtë ndërprerje kanë qenë të akomoduar në Ballsh dhe Fier. Laçi, Partizani dhe Luftëtari janë gjithashtu skuadra që nuk janë prekur, edhe pse dy të fundit kanë nga një titullar jashtë.

KARANTINA – Por sa do ta zbatojnë futbollistët karantinën pas ardhjes në Shqipëri?! Kjo mbetet për t’u parë, ndërsa fakt është se pengesa për momentin nuk ka pasur vetëm për ata që do të vijnë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut. Sa u përket shteteve të tjera, problemi është i madh, pasi nuk janë hapur ende linjat ajrore. Kukësi, Skënderbeu dhe Vllaznia do të jenë të detyruara të nisin stërvitjen pa disa lojtarë.