Nga Endri ÇINARI
4 fitore në 5 ndeshjet e fundit të vitit kanë bërë që tek Vllaznia të rikthehet entuziasmi. Shkodranët janë kthyer në rrugën e mbarë në kampionat dhe tashmë e mbyllin vitin brenda 4-shes kryesuese të Superiores. Pozicion që të lejon të luash shansin për titullin kampion deri n fundin e edicionit.
Luhatjet plot ulje dhe ngritje të ekipit duket se janë harruar dhe tashmë skuadra ka krijuar një lloj stabilitetit. Dhe këtë e vërtetojnë më së miri edhe rezultatet e javëve të fundit. Kuqeblutë numërojnë 4 fitore dhe 1 humbje, atë kundër Egnatias në shifrat 3-0. Ndërsa fitoret kanë ardhur kundër Teutës me rezultatin 1-0, ndaj Dinamos në shifrat 3-1.
Po ashtu fitorja kundër Tiranës në transfertë në shifrat 0-1 dhe po ashtu ajo mbrëmë me rezultatin e thellë 5-0 ndaj Skënderbeut. Nga rezultatet, por edhe loja që ka ardhur në përmirësim shkodranët kanë lënë pas periudhën e vështirë. Një meritë absolute në këtë kthesë ka edhe trajneri, Qatip Osmani. Një drejtues plot eksperiencë dhe i suksesshëm solli një frymë të re në skuadër.
Që ekipi po e reflekton më së miri pas përshtatjes së skuadrës me trajnerin. Tetovari ka mjaft merita në ringritjen e skuadrës si nga ana sportive, por edhe ajo morale. Ku ambienti tashmë ka edhe entuziasmin dhe harmoninë që mungonte deri para pak javësh. Të gjithë me patjetër duan që një Vllazni e tillë të shfaqet edhe në janar, ku Superliga do i rikthehet aktivitetit të zakonshëm pas pushimeve.