Merkato në Shkodër. Tërbuni vazhdon të pasurohet në organikë dhe këtë herë me lojtarë që vijnë nga Vllaznia. “Panorama Sport” mëson se të premten ekipit i janë bashkuar në formë huazimi: Eraldo Deda, Olsi Mali, Angjelo Radovani dhe Arlendo Dodani.

Elvin Beqiri i ka hedhur “sytë” në shtëpi, terren që e njeh më së miri. Duke pasur marrëdhënie të mira me klubin, i ka bindur që të marrë borxh këta futbollistë. Gjatë një deklarate të dhënë për gazetën, trajneri shprehet:

“Presidenti Gjon Gjonaj na ka krijuar kushte optimale dhe po i qëndron shumë pranë ekipit. Madje, e ndjek atë edhe në seancat stërvitore. Jam i kënaqur nga ajo çka po bëjnë futbollistët në fushë, ndërkohë që Peqini, Hysa, Lila apo disa të tjerë kanë punë përpara për të qenë të gatshëm në ndeshjet zyrtare.

Kam besim se do ta arrijnë shumë shpejt formën sportive. Janë lojtarë që kanë luajtur në elitë, por edhe në Kategorinë e Parë. Sot për sot, kam shumë lojtarë në dispozicion, por ne po testojmë secilin prej tyre.

Më pas do të fillojë seleksionimi. Më vjen keq për këdo nga ata që do të largohen, por na duhen futbollistë cilësorë. Kampionati është i gjatë dhe ne duhet ta blindojmë mirë ekipin. Duhet të shohim edhe për tri afrime të reja, sulmi sidomos ka nevojë për t’u përforcuar”.