Serxho Ramos është i interesuar që të blejë aksionet e Seviljas. Për këtë një ofertë prej 450 milionë eurosh u raportua këtë javë drejt klubit spanjoll.
Ramon Rodrigez Verdejo, i njohur si Monçi, ka folur për Ramosin dhe dëshirën që të kthehet te Sevilja. Ish-drejtori sportiv i Seviljas beson te ky projekt i mundshëm.
“Ka përvojë dhe pavarësisht gjithçkaje që ka ndodhur, e di që është një tifoz i vërtetë i Sevillas, prandaj u kthye vitin e kaluar. Dhe, dëgjoni, nëse ka një bazë aksionere pas vetes, sepse për ta bërë këtë duhet të blesh aksione, dhe ai dëshiron t’i përkushtohet kësaj. Në këto çështje, dhe nuk po flas konkretisht për Serxho Ramosin, nuk ekziston asnjë president që i vetëm të jetë në gjendje të arrijë diçka, as të fundosë e as të çojë përpara një projekt.
Dua të them, projektet janë më tepër kolektive sesa individuale. Nuk i njoh detajet e planit të Serxhos, por nuk është diçka që ka lindur dy ditët e fundit. Ai do të ketë rreth vetes njerëz me përvojë që ta ndihmojnë në menaxhim. Unë, që jam president i një klubi shumë të vogël, mbështetem te ekspertë të marketingut, sigurisë apo shtypit. I rëndësishëm nuk je vetëm ti, por njerëzit me të cilët rrethohesh. Projektet kanë shumë ‘prindër’, si në të mirë ashtu edhe në të keq.
Nëse Serxho është futur në këtë rrëmujë, e ka bërë me vetëdije të plotë. Ai ka fituar gjithçka që kishte për të fituar me Real Madridin, por te Sevilja nuk e pati këtë mundësi sepse u largua pikërisht para ciklit fitues. Prandaj, ndoshta, ka këtë motivim shtesë. Për më tepër, është një person me ego të madhe dhe me shumë fat. Ndoshta mendon: ‘Hej, besoj se mund ta bëj Seviljan përsëri kampione’”, u shpreh ish-drejtori i Seviljas.


