Kristiano Ronaldo është shumë pranë largimit nga Juventusi. Tashmë është e qartë se ai nuk dëshiron të vazhdojë më dhe se i ka hedhur sytë nga Mançester Siti, që duket i hapur për të pritur portugezin në një kthim të bujshëm në Angli.
Por gjithçka për momentin frenon nga kërkesa që ka klubi bardhezi. Ai nuk dëshiron ta lërë Ronaldon të ikë me kosto sero, edhe pse do të lehtësonte me dhjetëra milionë euro barrën vjetore të rrogave në klub, duke përllogaritur sa fiton portugezi,.
E megjithatë, vlera që kërkon për 5 herë fituesin e ”Topit të Artë”, i cili është në formë të mirë sportive dhe vazhdon të shënojë me rregullsi, nuk është shumë e lartë. Sipas mediave italiane, Juventusi kërkon 25-30 milionë euro për kartonin e futbollistit, që ta lërë të largohet drejt Mançester Sitit, pasi mendon të investojë përsëri këtë shifër për të gjetur një zëvendësues të mundshëm të tij.
Kjo është pika për të cilën palët po negociojnë, pasi edhe Siti kërkon të sistemojë disa futbollistë për të siguruar më pas shumën që i nevojitet për të transferuar sulmuesin portugez.