Këshilli Bashkiak i Lushnjës ka miratuar 600 milionë lekë të vjetër për rikonstruksionin e stadiumit “Roza Haxhiu” dhe ndërtimin e tre fushave të reja stërvitore rreth impiantit. Ky investim do i vijë në ndihmë të rinjve në Lushnjë, si edhe ekipit të parë, që për vite me radhë ka vuajtur mungesën e kushteve.

Në bashkëpunim me FSHF, Bashkia e Lushnjës do investojë 49 përqind në këtë projekt, ndërsa pjesa tjetër do jetë ndihmë nga Federata. “Këshilli Bashkiak në mbledhjen e tij të sotme, i hapi rrugë projektit më të madh në 3 dekada në funksion të futbollit lushnjar.

Investimi për rikonstruksionin e Kompleksit Sportiv “Roza A. Haxhiu” me vlerë rreth 60 milionë lekë të reja, ku përfshihet fusha e stadiumit dhe 3 fusha stërvitore përreth, të cilat do të ndryshojnë prespektivën e futbollit në qytetin tonë”, njofton Bashkia Lushnjë.

Njoftimi i plotë:

Këshilli Bashkiak në mbledhjen tij të sotme, i hapi rrugë projektit më të madh në 3 dekada në funksion të futbollit lushnjar. Investimi për rikonstruksionin e Kompleksit Sportiv “Roza A. Haxhiu” me vlerë rreth 60 milionë lekë të reja, ku përfshihet fusha e stadiumit dhe 3 fusha stërvitore përreth, të cilat do të ndryshojnë prespektivën e futbollit në qytetin tonë.

Cilësi dhe standarte për fëmijët, që ndjekin pasionin e tyre dhe një zonë tërësisht e transformuar dhe e integruar në shërbim të komunitetit, së bashku me tregun e ri modern, që do të ndërtohet këtë vit. Bashkia do të investojë 49% të projektit total ndërsa pjesa tjetër do të mbulohet nga FSHF. Kryebashkiakja Eriselda Sefa mbetet e angazhuar t’i rikthejë Lushnjes shkëlqimin e dikurshëm të futbollit.