Në futbollin italian janë të shumtë futbollistët shqiptarë që luajnë, por përkrah tyre, ka edhe shumë arbitra të cilët gjykojnë dhe ndajnë drejtësinë në ligat e ulëta italiane. Njëri prej tyre është edhe Tudor Plarea i cili është kthyer protagonist në një incident të ndodhur kohë më parë.

Në marsin e vitit të shkuar, Plarea ndëshkoi me karton të kuq golashënuesin më të mirë të skuadrës së Rovigos për shkak të gjesteve antisportive në fushën e blertë.

Sulmuesi Mateo Fuseti kishte takuar pak ditë më vonë arbitrin në një piceri në Itali dhe e kishte kërcënuar duke i thënë se nëse dënohet me 3 ndeshje, duhet të bëjë kujdes pasi do t’i djegë shtëpinë.

I vënë në kushte të tilla, arbitri ka bërë një denoncim në polici dhe karshi futbollistit që u ndëshkua me dy ndeshje pezullim, nisi një hetim i detajuar për këtë denoncim.

Pak ditë më parë, është marrë vendimi në lidhje me futbollistin dhe tashmë, ai duhet të vuajë një dënim ekstrem duke qenë se është vendosur që të pezullohet me plot 50 ndeshje për shkak të atij kërcënimi. /VipSport/