Vllaznia U-19 nuk ia ka dalë të vijojë me fitore në ndeshjen e rradhës. Ajo është mposhtur 4-3 nga Tirana, në ndeshjen e luajtur pasditën e djeshme në fushën “Skënder Halili” të kryeqytetit. Në këtë mënyrë, kuqeblutë nuk arrijnë të vijojnë me një tjetër fitore, ashtu siç ndodhi edhe në javën e fundit ndaj Apolonisë.

Sa i takon kronologjisë së ndeshjes ndaj Tiranës, në fakt ajo ka nisur shumë keq për ta. Kështu, kanë qenë bardheblutë që kanë shënuar të parët, pikërisht në minutën e 11-të.

Një gol që krijoi idenë se Vllaznia U-19 do të reagonte për të ndryshuar rezultatin, por nuk ndodhi kështu. Menjëherë pas gjashtë minutash, Tirana do të shënonte edhe golin e dytë. Më pas, sërish Tirana nuk i ka ndalur përpjekjet e saj për të shënuar dhe ia arrin të gjejë edhe golin e tretë.

Kështu, me rezultatin e pastër 3-0 në favor të Tiranës do të mbyllej 45-minutëshi i parë. Ndërkohë, në pjesën e dytë do të kishte një tabllo krejtësisht tjetër të kësaj ndeshjeje, me Vllazninë që pas përpjekjeve të shumta të saj, barazon rezultatin nga 3-0 në 3-3.

Fillimisht, do të ishte Dodaj në minutën e 56-të që do të dërgonte shifrat në 3-1. Më pas, në minutën e 76-të, Kodra ngushton rezultatin në 3-2. Ndërkohë, në të 84-tën, Shimaj barazon gjithçka në 3-3.

Megjithatë, Tirana nuk u dorëzua dhe në fundin e ndeshjes shënoi edhe golin e katërt dhe të fitores. Ky gol në fund ia vështirësoi punën kuqebluve që u detyruan të pajtohen me humbjen, duke bërë që pas suksesit të javës së kaluar me Apoloninë, ta humbasin këtë ndeshje të rradhës ndaj Tiranës.

Asgjë nuk ndryshoi deri në fund dhe ndeshja u mbyll në shifrat 4-3 në favor të Tiranës. Pas kësaj humbjeje, kuqeblutë mbeten në vendin e katërt në tabelën e renditjes në kuotën e 20-pikëve. Padiskutim që, ekipi i Vllaznisë duhet të “pajtohet” me këtë rezultat dhe padyshim duhet që të mendojë të ecë përpara, teksa në vazhdim e presin ndeshje të tjera të rëndësishme. /Maringlen ZHIVANI/

U-19: Tirana-Vllaznia 4-3

Golat për Vllaznia U-19: Dodaj 56’, Kodra 76’, Shimaj 84’

Formacioni i Vllaznia U-19: Jukaj, Selmani, Kapllanaj, Repaj (Shimaj 46’), Muhaj, Zaganjori, Cungu, Dodaj (Nika 87’), Beçina (Rroku 46’), Halili (Hagrepi 56’), Brahimi (Kodra 46’) (në dispozicion: Lujkaj, Kallamoqi, Zymeri) Tr: Edmond Doçi

Arbitër: Klodjan Prengat