Gjuajtjet e Interit nuk kanë efekt, krosimet kuturu të kundërshtarëve (si në rastin e Kandrevës) po. Skuadra e Simone Inzagit për momentin duket se di vetëm të godasë dhe goli i Gosensit ishte i pari me aksion pas pesë ndeshjesh, që gjithsesi nuk ishte i mjaftueshëm për të siguruar fitoren.

Ndaj Salernitanës zikaltrit e tentuan plot 25 herë portën, një shifër e padobishme ashtu si në tri ndeshjet e fundit të kampionatit kundër Specias, Juventusit dhe Fiorentinës. Në total, në katër ndeshjet e përmendura, pati 87 goditje, të cilat çuan në vetëm një gol nëpërmjet aksionit dhe dy gjithsej, duke llogaritur penalltinë e Lukakut ndaj Specias, me shënjestrën që duket gjithmonë e më shumë e zhdukur dhe me kambanat e alarmit që kanë nisur të bien, sidomos kur kundërshtari i radhës është Benfika dhe çerekfinalja e Champions-it.

NUMRAT – Një efekt edhe më negativ e japin goditjet në kuadrat. 11 të tilla ndaj Salernitanës dhe 25 në total në të katërta ndeshjet, me Interin që tashmë duket se e ka gjetur diagnozën e tij: nuk di të konkretizojë.

Goditje traversash kur topi thjesht mund të shtyhet në rrjetë, portierë kundërshtarë që ndalin gjithçka (Oçoa i Salernitanës dhe Dragovski i Specias ishin fantastikë) dhe gabime të shumta të vetë sulmuesve zikaltër janë disa nga arsyet se pse situata është e tillë, me Interin që përpos të tjerave, në këto katër sfida të fundit të Serisë A, ka regjistruar 35 goditje jashtë portës.

GJITHMONË E MË KEQ – Numrat që flasin për gabimet para porte janë edhe një nga shkaqet kryesore se pse në të gjitha kompeticionet, zikaltrit kanë 6 ndeshje pa fituar, me suksesin e fundit që vazhdon të mbetet ajo ndaj Leçes më 5 mars, kur erdhi edhe goli i fundit me aksion.

Përpos të gjithës, transfertat vazhdojnë të jenë makthi i zikaltërve, me vetëm dy pikë mes Sampdoria, Bolonjës, Specias dhe Salernitanës; 5 fitore në kampionat në 15 ndeshje dhe vendi i dhjetë në renditje nëse u referohemi vetëm ndeshjeve jashtë fushe. Transferta e radhës, edhe pse në një tjetër kompeticion, është ajo e Lisbonës dhe Benfika nuk është një rival i mëshirshëm, mbi të gjitha kur shpërdoron para portës së saj.