Sot përfundoi java e 25 e kampionatit, ndërsa skuadrat tashmë fillojnë e fokusohen te ndeshjet e radhës të cilat vijnë shumë shpejt. Kështu, java e 26 nis ditën e diel me tre sfida teksa ajo që do ngrejë siparin është ndeshje mes Luftëtarit dhe Bylisit në orën 14:00. Gjirokastritët u mposhtën edhe në këtë javë ndaj Skënderbeut, ndërsa ballshiotët nga ana tjetër dolën të humbur nga transferta e Laçit.

Kështu, sfida ndaj Luftëtarit bëhet tepër e rëndësishme për Bylisin që ende nuk njeh fitore në këtë vit kalendarik. Ndërkohë, të dielën në orën 17:00 luhen dy ndeshje të tjera. Tirana pret në kryeqytetet Laçin.

Bardheblutë pas triumfit të sotëm shkëputen në 6 pikë nga Kukësi dhe në shtëpi kërkojnë të shmangin hapat fals për t’iu afruar gjithnjë e më shumë objektivit final. Ndeshja tjetër e pasdites është ajo mes Teutës dhe Flamurtarit.

Një ndeshje e lehtë për durrsakët që pas fitores së sotme ndaj Partizanit, janë gjithnjë e më të përfshirë në garë për Kupat e Europës. Ndërkaq, të hënë do luhen dy ndeshjet e radhës. Në orën 18:00, Skënderbeu që po kalon një moment shumë pozitiv pret në Korçë, Kukësin. Sakaq, po në orën 18:00, Vllaznia luan në shtëpi përballë Partizanit. /VipSport/

Ndeshjet:

Të dielën:

14:00 Luftëtari-Bylis

17:00 Teuta-Flamurtari

17:00 Tirana-Laçi

Të hënën:

18:00 Vllaznia-Partizani

18:00 Skënderbeu-Kukësi