Nuk po drejton prej kohësh një ekip dhe trajneri Gianni De Biasi është në kërkim të një klubi, ose kombëtareje, por nuk po mundet. Pas largimit nga drejtimi i Shqipërisë, ku bëri emër me kualikimin historik në “Euro 2016”, 64-vjeçari nuk ka “qëlluar” dot.
Megjithatë, vijon të mbetet i preferuar nga media italiane për analiza të ndryshme mbi futbollin. Këtë javë, “modenasportiva.it” shkruan se kishte kënaqësinë dhe nderin të intervistonte Gianni De Biasi.
“Ai sukses ishte hakmarrja ime personale ndaj futbollit italian. Për mendimin tim, futbolli është ndryshe, në krahasim me atë që aplikohet në ekipe të caktuara sot. Duke pasur frenat e komandës në dorë, te Shqipëria tregova se si mundet një trajner të triumfojë.
Ta bëjë këtë përmes lirisë së zgjedhjes së lojtarëve më të mirë, edhe pse jo të nivelit të parë, duke u përpjekur të formojë grupin, të rrisë cilësitë teknike të lojtarëve të rinj etj. Mendoj se ishte një punë e rëndësishme.
Dy vitet e para më shërbyen për të kuptuar mentalitetin ballkanas atje dhe në të njëjtën kohë isha në gjendje të përçoja mënyrën time të të parit të futbollit. Besoj se në fund bëmë diçka të rëndësishme dhe të papritur për shumëkënd, por jo për mua.
Personalisht, isha i bindur që, nëse lojtarët e Shqipërisë do të më ndiqnin mua, mund të hynin në historinë e vendit të tyre. Kjo ndodhi, sepse e çuam Shqipërinë në finalet e një Kampionati Europian. Unë mendoj se është një medalje, që ata e mbajnë me nder, e kanë vendosur në zemër” – u shpreh De Biasi./konica.al/