Nuk mund të ketë vetëm fitore për Vllazninë këtë sezon. Shkodranët kanë realizuar një kampionat fantastik deri më tani, duke qenë ekipi për tu mundur.
Por seria e fitoreve ka përfunduar sot, teksa Kastrioti i thotë “ndal” kryesuesve në “Loro Boriçi”. Ndeshja është mbyllur me shifrat 0-0, ndërsa në përfundim të saj protagonistët kanë thënë fjalën e tyre për mikrofonin e “Supersport”.
“Kishim ardhur sot për të marrë pikë. Kishim 2 rezultate. Ekipi dha maksimumin, me shumë ndryshime, me shumë djem të rinj. Besoj që barazimi ishte i merituar. Kemi bërë disa gabime ndeshjet e kaluara.
Kemi zhvilluar dy takime shumë të mira si me Tiranë edhe me Teutën. I kemi dominuar, sidomos Tiranën, por fati s’ka qenë me në. Sot ishim më të përqendruar duke parë edhe forcën e Vllaznisë.
Me këtë pikë, pavarësisht se vlen për ekipin tonë, kemi zbukuruar edhe kampionatin. Për mendimin tim po të fitonte Vllaznia çdo gjë do të mbyllej. Sot i kemi dhënë një asist kampionatit shqiptar që të ndiqet deri në fund”.







