Një nga cilësitë e preferuara të futbollistëve që trajnon Simone Inzagi është ajo e aftësisë për të mbuluar sa më shumë role të jetë e mundur në cepat e ndryshëm të fushës. E ka treguar këtë edhe kur stërviste Lacion me përdorimin e futbollistëve si Parolo dhe Luis Alberto, në aq shumë role sa dukeshin sikur shumëfishoheshin.

Këtë ide kërkon ta përshtasë edhe tek Interi, kur kërkon t’u shtojë Nahitan Nandezin “xholave” të tjerë që ka në ekip, për t’i dhënë kështu formë Interit të tij.

NANDEZ – Me uruguaianin, Interi jo vetëm që siguron pasardhësin e Hakimit, por edhe një futbollist të aftë të mbulojë mesfushën si në krah ashtu edhe në qendër të saj. Pavarësisht ndryshimit të rolit, ai do të ishte një gjetje perfekte mes Barelës dhe Brozoviçit në mesfushën me tre lojtarë.

Te Kaljari 25-vjeçari ka treguar që mund të luante edhe në krahun e majtë dhe është përdorur në çdo pozicion që ka pasur ekipi nevojë, gjë që më së shumti do t’i shërbente Interit të Inzagit që ndryshe nga ai statik i Kontes, si kryefjalë të tij do të ketë lëvizshmërinë.

DIMARKO – Federiko ka qenë pa dyshim një nga surprizat më të bukura të korrikut zikaltër. Në fillim, detyra e tij do të ishte të pozicionohej pas Perisiçit, alternativa e parë e kroatit në krahun e majtë, por ka treguar që mund të shtyjë pa frikë edhe disa metra më tej.

Në Verona tregoi se mund të luante shumë mirë edhe në mbrojtjen me tre, e preferuar edhe nga trajneri, por tek Interi ai rol i përket Bastonit, që ka qenë i padiskutueshëm. 23-vjeçari mund të bashkohet edhe me Kolarovin apo ta zëvendësojë atë duke parë se mosha e serbit nuk garanton prezencën e tij në çdo ndeshje.

Dimarko është siguri jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen e Interit, duke i shpëtuar zikaltrit nga një shqetësim më tepër në merkato.

D’AMBROZIO DHE DARMIAN – Pushimi që morën ndërpreu punën e mirë që po bëhej, por D’ambrozio është pjesë e lojtarëve që mund të përdoren si “xhola” nga trajneri i ri, i cili mendon ashtu si paraardhësi i tij se mund të përdoret si mbrojtës qendror dhe të arrijë të realizojë ose të shërbejë si anësor ashtu si kolegu i tij Darmian.

Ky i fundit mund të thirret për të plotësuar vendin e lënë bosh nga Hakimi, ndër më të aftët në atë rol në radhët e Interit, por mund të alternohet në të dy krahët dukë u dhënë mundësinë reparteve të kenë fleksibilitet.

ÇALHANOGLU – Turku mbërriti në kohë nevoje, në rastin kur i duhej të zëvendësonte Eriksenin, kështu që detyra e tij primare do të jetë të luajë trekuartistin, por cilësitë e treguara prej tij në metrat e fundit të fushës nuk e përjashtojnë faktin se mund të luajë si mesfushor sulmues pas dyshes “Lu-La”.

Nëse eksperimentet dhe përdorimi në role të ndryshme i futbollistëve që ka në organikë do të sillte sukses, në fushë do të shihej një Inter sa dinamik aq edhe polivalent.