Vllaznia pas ndeshjes të së mërkurës ndaj Tiranës, do të rikthehet të luajë sërish në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” gjatë kësaj fundjave. Pikërisht të dielën në orën 19.00 do të luajë ndaj Rahovecit, ndeshjen e rradhës të vlefshme për Ligën Unike.
Kuqeblutë kuptohet që do të kërkojnë suksesin i cili do të ishte i dyti në pesë ndeshjet e luajtura teksa ka pësuar tre humbje deri tani dhe ka marrë vetëm një fitore.
Drejtuesit e klubit dhe stafi teknik janë shprehur herëpashere se ky kompeticion do t’i shërbejë ecurisë në kampionat, megjithatë duhet pranuar se deri më tani nuk i ka vlejtur asgjë.
Edhe në kampionat ekipi shkodran ka patur një ecuri me oshilacione teksa ka bërë mirë në disa ndeshje, por ka zhgënjyer në dy paraqitje në ndeshjet e luajtura në Shkodër. Pikërisht ndaj Kamzës dhe së fundi ndaj Tiranës.
Për këtë të fundit, mësohet se skuadra ka bërë një analizë të gjatë duke nxjerrë edhe shkaqet dhe përgjegjësitë për atë paraqitje shumë të dobët. Largimi i Stone ka krijuar një boshllëk të madh te Vllaznia, për më tepër që ardhja e David dhe Dobbs duket se për momentin nuk po e zëvendësojnë siç duhet.
Ndoshta edhe ngaqë u duhet kohë për t’u përshtatur me ekipin. Sfida e së dielës me Rahovecin do të jetë edhe një test tjetër për ta, por edhe për ekipin i cili duhet të japë shpresat e një kthese të mundshme sepse ndryshe pasojat në kampionat do të ishin të mëdha, pikërisht aty ku dhe është fokusi kryesor i tyre.