15 javë janë luajtur në Abissnet Superiore deri tani, me Tiranën që kryeson me 33 pikë, pesë mbi Kukësin dhe gjashtë më shumë se Laçi i vendit të tretë. Deri në këtë fazë të kampionatit janë marrë në total 311 kartonë të verdhë dhe 21 kartonë të kuq.
Vllaznia dhe Kastrioti janë skuadrat më të zverdhura. 36 herë janë ndëshkuar me kartonë të verdhë lojtarët e ekipit shkodran e krutan. Më pak se të gjithë është ndëshkuar Laçi (24) që ndiqet nga Egnatia (26) dhe Skënderbeu (28).
Vllaznia ka dhuruar një futboll të bukur por edhe agresiv, pasi kuqeblutë e Thomas Brdaric kryesojnë edhe renditjen në lidhje me kartonët e kuq. Ekipi shkodran ka mbyllur ndeshjen me një lojtar më pak në katër raste.
Po kaq herë është ndëshkuar me të kuq edhe Teuta, teksa podi kompletohet nga Egnatia (3). Skuadrat më të ndëshkuara deri tani janë Vllaznia, Kastrioti dhe Teuta.
Laçi i Mirel Josës është e vetmi ekip që nuk ka marrë asnjë karton të kuq në 15 javët e para të Superiores, ndërsa nga një herë janë ndëshkuar Partizani e Skënderbeu.







