Liridon Latifi nuk është i vetmi që driblon bukur te Vllaznia. Po kaq i zoti në “driblim” është edhe presidenti i klubit, Alban Xhaferi, i cili tregohet gjithnjë shumë i kujdesshëm në intervistën për “Panorama Sport”,që ne e quajtëm “Notat e vitit” te shkodranët. “Brdariç meriton notën 9, edhe pse duhet të jetë më elastik me të rinjtë. E kam peng titullin e vjetshëm, sepse shkuam shumë pranë, por gjithsesi bëmë një sezon shumë të mirë. Këtë vit dua të dalim kampion. Ky është objektivi i madh, por…”, thotë ai për gazetën.

Çfarë note do t’i vendosni Vllaznisë për 2021-shin?

Do ta ndaja në dy pjesë, në fillimin dhe fundin e kampionatit të kaluar, që do t’i vija notën 9 sepse nuk arritëm titullin kampion, por arritëm Kupën, ndërkohë që për pjesën që sapo ka filluar do t’i vendos notën 8. Kjo notë, sepse nuk jemi aty ku ne pretendojmë.

Sipas jush, çfarë mund të kishin bërë më shumë?

Nëse flasim për gjithë vitin, Vllaznia ka arritur nivele shumë të mira, krahasimisht me dhjetëvjeçarin e fundit. Për këtë jemi shumë të kënaqur. Por, nëse i referohemi pyetjes se çfarë mund të kishte bërë më shumë, sigurisht që ka vend për shumë përmirësime. Ka vend këtu për të ulur euforinë tek ekipi. Të qëndrojmë me këmbë në tokë. Tani, në këtë sezon që kemi hyrë, kemi pretendime të reja dhe mendoj se Vllaznia duhet të bëjë shumë më tepër sesa sezoni i kaluar.

A morët ndonjë dhuratë nga skuadra?

Në kuptimin simbolik, unë mund ta quaj të gjithë sezonin shumë të mirë dhe nëse flasim për rikthimin e emrit të Vllaznisë, kjo është një dhuratë që ma ka dhënë skuadra mua dhe ne ia kemi dhënë qytetit. Nëse flasim për fundin e këtij viti, ndeshja me Kukësin duhej fituar, pavarësisht se skuadra luajti shumë mirë, por goli nuk doli. Nuk ishte risku për ta fituar atë ndeshje. Unë jam i kënaqur me çunat dhe i gjithë viti për mua është një dhuratë, për atë që kemi arritur.

Keni ndonjë peng nga 2021-shi?

Dihet pengu ynë, ai që nuk arritëm të merrnim titullin kampion. Mënyra si u shkëputëm dhe nuk arritëm ta menaxhonim këtë si duhet. Sigurisht që ky është një peng, pasi nuk arritëm të fitonim titullin. Të tjerat pastaj nuk mund t’i quaj pengje, sepse janë procese normale, vazhdimësie, merkatoje, rezultatesh. Kështu që pengu më i madh është mosarritja e titullit, pas asaj çka dhamë në fund të vitit të kaluar.

Çfarë e bezdis Xhaferin si president i Vllaznisë gjatë kësaj kohe që ju e drejtoni klubin?

Futbolli ka shumë problematika në Shqipëri dhe në përgjithësi futbolli është një sfidë në vetvete, por nëse mund t’i ndajmë problematikat, ajo që na bezdis me të vërtetë është infrastruktura në Shkodër.

Pse?

Sepse ne nuk arrijmë kushtet optimale për ekipin ose t’i ofrojmë infrastrukturën e duhur, në mënyrë që ata të stërviten dhe të rrisin nivelin. Kjo është pjesa që na bezdis, sepse po punojmë shumë për të ndërtuar të paktën një infrastrukturë bazë. Ky është ai kompleksi që presim vitin tjetër të inaugurohet shumë shpejt. Pastaj, të kemi një kompleks shumë më modern që të ketë të përfshirë akademinë, ekipin e parë dhe të shërbejë për gjithë zinxhirin e Vllaznisë. Kjo është e vetmja gjë që e bezdis Xhaferin. Por, sigurisht që futbolli në vetvete ka sfidat e veta, ka angazhimet e veta, por kjo është diçka që ne i kemi hyrë me motivin e mirë për të ecur përpara dhe është një zgjedhje që kemi bërë.

Midis dhjetë presidentëve të Superiores, atyre që ishin vjet dhe këtyre që janë sivjet, me kë keni raporte më të afërta?

Unë jam president i ri dhe e respektoj historikun e tyre, kontributin që kanë dhënë për skuadrat e tyre, ndaj për mua jo vetëm janë për t’u lavdëruar, por janë heronj në vetvete sepse të kontribuosh për sportin dhe të japësh miliona euro në ditët e sotme është diçka që me të vërtetë na nxjerr përtej mundësive tona. Gjithë ai shpenzim dhe angazhim është të lësh mangët shumë gjëra të tjera për t’ua ofruar këtë kënaqësi sportdashësve. Kështu që për mua të gjithë presidentët që kontribuojnë në ekipet e sportit në Superiore, por edhe në ekipet e Kategorisë së Parë, për mua janë heronj dhe janë për t’u përgëzuar.

Ju i vendosët një notë skuadrës, po trajnerit çfarë note do t’i vinit?

Për trajnerin mund të ketë disa shkallë vlerësimi. Nuk mund t’i vë një notë të përgjithshme.

Në kompleks, nota “vjetore” quhet kjo…

Unë po e vlerësoj në tri shkallë. Në shkallën e parë, një trajner i cili motivon skuadrën dhe krijon një ambient shumë të mirë për lojtarët. Këtu do t’i vija notë maksimale. Ndërsa në shkallën teknike, gjithashtu, do t’i vija një notë maksimale. Ndoshta në implementimin e elementit të ri dhe elementit që ne duam të promovojmë në skuadër, këtu do t’i vija një notë mesatare. Por, gjithsesi është filozofia e tij. Në përgjithësi trajneri i ynë meriton, nuk po them 10, por 9 sigurisht që e meriton./PANORAMA-SPORT/