Skënderbeu vijon përgatitjet për javën e 16 të Superligës. Korçarët luajnë të shtunë në 15 janar me Laçin në Korçë (13:45), teksa vijojnë stërvitjen nën udhëheqjen e Migen Memellit. Korçarët e kanë merkaton e bllokuar nga FIFA për detyrime të pashlyera, ndërsa kanë bërë tre afrime në merkato, edhe pse lojtarët nuk janë regjistruar ende.

Erlis Frashëri, Klodian Gjino dhe Skerdilajd Levendi janë emrat që kanë dalë në stërvitje me Skënderbeun. Nëse Frashëri është një emër I njohur në Korçë, nuk mund të thuhet e njëjta gjë për Gjinon.

Beratasi 27 vjeçar ka një karrierë të pasur në Greqi, teksa sezonin e shkuar ishte dëshirë e Vllaznisë. Lojtari gjeti akordin me shkodranët dhe udhëtoi drejt kryeqendrës së veriut, teksa u largua natën.

Asokohe mediet lokale njoftuan se ishte e dashura e mesfushorit që nuk kërkonte të jetonte në Shkodër, duke u larguar nga Vllaznia ende pa shkuar mirë. Gjino ka qenë pjesë e Shpresave kuqezi për 10 ndeshje.

Edhe Levendi është një emër i njohur, teksa prej disa sezonesh 21 vjeçari ka qenë pjesë e Apolonisë./newsport/