Thursday, July 16, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E DYTEProtagonist me Shirokën sezonin e shkuar, mesfushori shkodran drejt një destinacioni të...

Protagonist me Shirokën sezonin e shkuar, mesfushori shkodran drejt një destinacioni të ri

Shkruar nga Endri ÇINARI

Elidon Dulaj duket se është pranë një kapitulli të ri në karrierën e tij. Mesfushori shkodran, i cili zhvilloi një sezon shumë pozitiv me fanellën e Shirokës, pritet të ndryshojë ambient për edicionin 2026-27. Sipas asaj që mëson ekskluzivisht “Shkodra Sport”, 25-vjeçari është shumë pranë një marrëveshjeje me Luftëtarin e Gjirokastrës, skuadër që po ndërton një ekip konkurrues për sezonin e ri.

Dulaj ishte një nga futbollistët më të spikatur të Shirokës gjatë kampionatit të kaluar. Me paraqitjet e tij të qëndrueshme në repartin e mesfushës dhe me plot 10 gola të realizuar, ai u shndërrua në një nga protagonistët kryesorë të ekipit. Përveç kontributit në fazën sulmuese, shkodrani spikati edhe për ritmin e lojës, aftësinë për të organizuar aksionet dhe eksperiencën që i dha skuadrës gjatë gjithë sezonit.

Performanca e tij nuk ka kaluar pa u vënë re dhe duket se Luftëtari ka vendosur ta bëjë një nga përforcimet kryesore të merkatos së verës. Klubi gjirokastrit e konsideron Dulajn një futbollist me vlera, i aftë të rrisë cilësinë e mesfushës dhe të sjellë eksperiencë në një repart shumë të rëndësishëm të skuadrës.

Edhe pse marrëveshja nuk është zyrtarizuar ende, burimet pranë palëve bëjnë me dije se gjithçka është shumë pranë finalizimit. Mbeten vetëm detajet e fundit që mesfushori të veshë sërish fanellën bluzi, në atë që do të ishte një rikthim i njohur për të, pasi Dulaj ka qenë pjesë e Luftëtarit edhe në një periudhë të mëparshme të karrierës së tij.

Nëse transferimi do të konkretizohet në ditët në vijim, atëherë 25-vjeçari do të nisë një sfidë të re në një ambient ku ndihet i njohur, me synimin për të vazhduar formën e mirë të sezonit të fundit dhe për të qenë sërish një nga lojtarët më të rëndësishëm të skuadrës së tij.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments