Shkruar nga Maringlen ZHIVANI
Ka përfunduar këtu rrugëtimi i Vllaznisë në UEFA Conference League. Humbja e thellë 5-0 ndaj Malishevës në ndeshjen e kthimit dhe eliminimi me rezultatin e përgjithshëm 6-2 lënë një shije shumë të hidhur te kampi kuqeblu, por njëkohësisht ngrenë shumë pikëpyetje për mënyrën se si u menaxhua kjo fushatë europiane.
Përtej rezultatit në fushë, ajo që bie më shumë në sy është fakti se Vllaznia u paraqit në një ndeshje kaq të rëndësishme me vetëm 12-13 futbollistë të ekipit të parë në dispozicion.
Për një klub me historinë, emrin dhe objektivat e tij, një situatë e tillë është e papranueshme dhe praktikisht e pamundur për të qenë konkurrues në arenën europiane. Në këto kushte, diferenca në fushë ishte e dukshme dhe skuadra pagoi shtrenjtë mungesën e alternativave.
Tashmë nuk ka më vend për justifikime. Pas këtij eliminimi, pritet të ketë një analizë të thellë brenda klubit për të kuptuar se si Vllaznia mbërriti në Europë në këtë gjendje, ndërsa opinioni sportiv pret që përgjegjësit të dalin përpara dhe të japin shpjegime.
Një eliminim i tillë duhet të shërbejë si mësim, në mënyrë që në të ardhmen skuadra të mos përballet më me probleme organizative që ndikojnë drejtpërdrejt në paraqitjen dhe rezultatet në kompeticionet ndërkombëtare.
Ndërkohë, Malisheva e meritoi plotësisht kualifikimin dhe vazhdon rrugëtimin në raundin e ardhshëm të UEFA Conference League, ndërsa për Vllazninë mbetet detyra për të reflektuar dhe për të rindërtuar, me shpresën se sezonet e ardhshme do ta gjejnë më të përgatitur për sfidat europiane.


