Shkruar nga Fatos Lamaj
Malisheva ka shkruar historinë në turin e parë kualifikues të UEFA Conference League duke mposhtur Vllazninë me rezultatin e thellë 5-0 në ndeshjen e kthimit dhe duke siguruar me meritë kualifikimin për në turin e dytë.
Pas një pjese të parë të dominuar nga skuadra kosovare ishte Uka ai që zhbllokoi sfidën n minutën e 34-të ndërsa Ibishi dyfishoi shifrat në minutën 45+2 duke i dhënë Malishevës avantazhin në rezultatin e përgjithshëm para pushimit.
Edhe pjesa e dytë nisi në mënyrën më të mirë për vendasit ndërsa Uka realizoi golin e tij të dytë personal në minutën e 52-të duke e çuar rezultatin në 3-0 dhe duke e vënë Vllazninë në një pozitë tepër të vështirë.
Vetëm pesë minuta më vonë në minutën e 57-të Veliu shënoi edhe golin e katërt ndërsa në minutën e 90-të Dulaj vulosi një mbrëmje të paharrueshme për Malishevën me golin e pestë.
Vllaznia nuk arriti të reagojë në asnjë moment të takimit duke zhvilluar një nga ndeshjet më të dobëta të viteve të fundit në arenën europiane.
Skuadra shkodrane u shfaq e pafuqishme si në mbrojtje ashtu edhe në fazën sulmuese ndërsa Malisheva dominoi sfidën nga fillimi deri në fund duke merituar plotësisht fitoren dhe kalimin në raundin e ardhshëm.
Një ditë historike për klubin kosovar ndërsa për Vllazninë ky eliminim shërben si një goditje e rëndë dhe një zhgënjim i madh në nisje të sezonit europian.


