Neymar ka rikthyer edhe një herë vëmendjen e futbollit brazilian me një paraqitje vendimtare në fitoren 2-0 të Santos kundër Bragantino, duke treguar se ende mbetet një figurë kyçe për ekipin dhe për të ardhmen e tij me kombëtaren. Në një ndeshje me presion të madh, ku Santos kishte shtatë ndeshje pa fitore, Neymar ishte protagonisti absolut.
Ai shënoi golin e avantazhit në fund të pjesës së parë, një finalizim tipik i stilit të tij, duke rikthyer besimin te skuadra dhe tifozët. Neymar nuk u ndal vetëm aty. Në minutën e 75-të, ai asistoi në golin e dytë pas një goditjeje standarde, duke gjetur Adonis Frías për 2-0, që vulosi fitoren.
Pas ndeshjes, stadiumi shpërtheu në duartrokitje kur ai u zëvendësua në minutën e 82-të, një moment emocional që tregoi lidhjen e fortë me tifozët dhe shpresat për rikthimin e tij të plotë në formë për Kupën e Botës 2026.
Por debati më i madh mbetet jashtë fushës. Pas Lionel Messit, edhe legjenda braziliane Ronaldinho ka dalë hapur në mbështetje të Neymarit dhe i ka bërë thirrje trajnerit të Brazilit, Carlo Ancelotti, që ta marrë në Botëror.
“Me gjithë respektin për të gjithë, për mua ai është më i miri. Do të ishte çmenduri nëse nuk shkon në Botëror. Nëse është në formë, nuk ka mënyrë që të mungojë”, tha Ronaldinho. Ronaldinho shtoi se do ta justifikonte mungesën vetëm në rast dëmtimi, duke nënvizuar rëndësinë e Neymarit për kombëtaren.
Ndërkohë, pavarësisht mbështetjes së fortë, situata mbetet e pasigurt për yllin e Santos. Konkurrenca për një vend në Boterorin 2026 mbetet e fortë dhe vendimet përfundimtare priten më 18 maj.


