Friday, May 22, 2026
FAQJA E PARE KRYESOREALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- qitësin dhe trajnerin e Vllaznisë,...

ALMANAK/ Sot dita për të kujtuar ish- qitësin dhe trajnerin e Vllaznisë, Muhamet Fani

Shkruar nga Gjergj KOLA

Në Shkodër edhe sporti i qitjes ka historinë dhe sukseset e tij. Ka po ashtu edhe protagonistët që e kanë shkruar atë dhe njëri prej tyre është ish- sportisti dhe më pas trajneri i Vllaznisë, Muhamet Fani. Po ndalemi tek ky personazh sepse kjo ditë përkon me atë të 71 vjetorit të lindjes së tij dhe ky është një moment i mirë për ta kujtuar atë sepse për fat të keq nga 17 janari i vitit të kaluar ai i ka dhënë lamtumirën familjarëve, miqve dhe shokëve të tij.

Muhameti lindi në Shkodër më 22 janar 1955 dhe në rininë e tij kuptohet që do të zgjidhte sportin, edhe nga fakti që babai i tij ishte Fahri Fani, një drejtues i sportit në këtë qytet. E nis me futbollin dhe do ta shkonte deri tek ekipi Shpresa me trajner Selami Danin, por një ditë trajneri takon të atin dhe i thotë se ai nuk kishte të ardhme me futbollin.

Ndërkohë gjatë zhvillimit të një spartakiade në mes ndërmarrjeje që zhvillohej në atë kohë në Shkodër, Muhameti do të përfaqësonte ndërmarrjen e duhan- cigareve në sportin e qitjes. Do të ishte i pari dhe menjëherë pas garës do t’i afrohej kryetrajneri i ekipit të qitjes së Vllaznisë, Nazmi Kraja. E fton pasdite tek ekipi për të bërë një provë dhe ajo shkon me sukses. Kështu ai do të bëhej pjesë e ekipit të qitjes duke filluar nga viti 1975 dhe deri në vitin 1983. Gjatë këtyre viteve si sportist, ai do të spikaste në garën e tij të preferuar, preçizion 1×60 ku pati rezultate pozitive.

Pas lënies së sportit, e emërojnë trajner të ekipit të të rinjve me sportistë si Saimir Logu, Adnan Kallogjeri, Kujtim Kopliku, Fauzel Bitri, Leonard Prela, Aleks Mile e Serjan Lishi. Dhe rezultatet e Muhamet Fanit do të vinin menjëherë. Brenda vitit do ta shpallte kampion këtë ekip, do të fitonte Kupën e Republikës dhe po ashtu do të merrte edhe diplomën si trajneri më i mirë i vitit.

Puna e mirë me këtë ekip, bën që drejtuesit i sportit në Rreth Bahri Axhemi t’i kërkojë që një vit më pas të marrë drejtimin e ekipit të qitjes së femrave të rritura, pjesë e të cilit janë sportiste si Drita Vjerdha, Domenika Hanxhari, Elda Gjergji, Etleva Gjerga, Rajmonda Sekuj, Agetina Simon, me të cilat Vllaznia renditet mes më të mirave të kampionatit. Do të vazhdonte ta drejtonte këtë ekip deri në vitin 1990 dhe më pas poligoni u mbyll dhe bashkë me të u shkri edhe ekipi.

Ky ambient sportiv do të ndikonte që Muhameti të gjente aty edhe dashurinë e jetës, Fatmirën, me të cilën më pas do të martohej dhe do të krijonte një familje të mrekullueshme, bashkë me dy fëmijët, Denisin dhe Ervisën. Madje duhet thënë se në familjen Fani edhe Denisi pati lidhje me sportin teksa për disa vite ka punuar pranë KF Vllaznia në rolin e ekonomistit, duke ndjekur rrugën e gjyshit të tij- Fahrisë që po ashtu ka punuar shumë vite në klub.

Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments