Wednesday, July 15, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIORETransfertat në Europë, ja statistikat e Vllaznisë

Transfertat në Europë, ja statistikat e Vllaznisë

Shkruar nga Endri ÇINARI

Ndeshja e kthimit ndaj Malishevës në Kosovë përfaqëson një tjetër provë të rëndësishme për Vllazninë, jo vetëm për objektivin e kualifikimit në turin e dytë të Conference League, por edhe për të ndryshuar një statistikë që prej vitesh nuk flet në favor të shkodranëve. Rezultatet në transfertat europiane kanë qenë një nga pikat më të dobëta të kuqebluve, të cilët rrallëherë kanë arritur të marrin atë që kanë kërkuar larg stadiumit “Loro Boriçi”.

Seria nisi në edicionin 2021-22, kur Vllaznia u mposht 3-1 nga Siroki Brijeg në Bosnje-Hercegovinë. Në të njëjtin sezon, shkodranët u larguan pa rezultat pozitiv edhe nga Qipro, duke u mundur minimalisht 1-0 nga AEL Limasol. Një vit më pas, në sezonin 2022-23, erdhi një tjetër transfertë e vështirë, me humbjen e thellë 3-0 ndaj Universitatea Craiova në Rumani.

As edicioni 2023-24 nuk solli ndryshim të kursit, pasi Vllaznia u mposht 3-1 nga Linfield në Irlandën e Veriut. Në sezonin 2024-25, kuqeblutë morën një rezultat më pozitiv, duke barazuar 2-2 në Islandë ndaj Valur, një sfidë që tregoi më shumë karakter nga skuadra shkodrane, edhe pse nuk arriti të kthehej në një fitore.

I vetmi sukses në transfertë gjatë viteve të fundit erdhi në edicionin 2025-26. Vllaznia triumfoi 2-4 ndaj Daugavpils në Letoni pas kohëve shtesë, duke siguruar një kualifikim të rëndësishëm dhe njëkohësisht fitoren e vetme jashtë fushe në këtë periudhë. Megjithatë, në turin e dytë të atij sezoni, kuqeblutë u ndalën nga Vikingur, duke u mposhtur 4-2 në Islandë.

Tashmë, përballja me Malishevën i jep Vllaznisë mundësinë për të shkruar një kapitull të ri. Fitorja 2-1 në ndeshjen e parë në “Loro Boriçi” i vendos shkodranët në një pozicion të favorshëm, por historia e viteve të fundit tregon se transfertat europiane kanë qenë gjithmonë një terren i vështirë për ta. Pikërisht për këtë arsye, sfida në Kosovë vlen dyfish: për kualifikimin dhe për të treguar se kjo Vllazni është e aftë të thyejë një traditë negative që e ka shoqëruar në arenën ndërkombëtare.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments