Futbollisti i Vllaznia U17, Rijad Fangaj, është njëri prej lojtarëve më të rëndësishëm tek të rinjtë shkodranë. Këtë gjë e ka treguar edhe në ndeshjen e fundit ndaj Apolonisë, në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, teksa arriti të shënojë edhe njërin nga golat e sfidës.
Në shumicën e ndeshjeve, 15-vjeçari Fangaj, ka qenë i palëvizshëm nga formacioni bazë, me të gjitha grupmoshat që ai ka luajtur. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, futbollisti tregon se skuadra e 17-vjeçarëve është në rrugën e duhur dhe këtë gjë, ata po e tregojnë, duke siguruar rezultate premtuese nga java në javë, teksa shprehet i bindur se do arrijnë ta fitojnë edhe Kupën e Shqipërisë.
Fangaj foli edhe për karrierën e tij në të ardhmen si çdo lojtar i ri premtues, dhe për ambiciet që ai ka, që të bëhet bashkëlojtar me vëllain e tij, Abdurramanin, që luan për ekipin e parë të Vllaznisë.
“Besoj që ishte një kualifikim mëse i merituar. Mendoj që ekipi është në rrugën e duhur dhe këtë gjë e tregojnë edhe rezultatet, dhe kemi besim që do arrijmë ta fitojmë kupën.
Mendoj që jemi një brez i mirë që premton për të ardhmen. Në prag të finalës ndaj Durrësit, skuadrën e shikoj mirë dhe normalisht po përgatitemi maksimalisht për fitore.
Për të ardhmen ëndërroj të kem sa më shumë suksese në karrierën time dhe normalisht që mendoj të jem pjesë e ekipit të parë të Vllaznisë, pse jo të jemi bashkëlojtarë me vëllain tim, Abdurramanin”,-shprehet ai.
I pyetur edhe për frymën dhe mentalitetin që ka sjellë në skuadër trajneri Edmond Doçi, Fangaj thekson se për një pjesë të rëndësishme të këtyre rezultateve pozitive, ka meritë të madhe edhe tekniku i tyre.
“Mendoj që profesor Doçi është një trajner mjaft i përgatitur dhe na ka motivuar që të kemi sa më shumë suksese në këtë periudhë dhe padiskutim që edhe ai ka një meritë të madhe”,-thotë 15-vjeçari.
Në fund, Fangaj ka edhe një falënderim dhe shpreson shumë që kupa e Shqipërisë të vijë në Shkodër. “Në rradhë të parë, falenderimi i takon Zotit dhe familjes time. Shpresoj shumë që me punë dhe me ndihmën e Zotit, do e sjellim kupën në Shkodër”,-mbylli prononcimin e tij, futbollisti i Vllaznia U17, Rijad Fangaj.
Maringlen Zhivani