HomeKRYESOREFirma pritet këtë javë, zbulohet paga që do të përfitojë Asllani te...

Firma pritet këtë javë, zbulohet paga që do të përfitojë Asllani te Interi

Më lart se ai nuk ka shkuar askush, për sa i përket elitës së Serisë A.

Kristjan Asllani do të jetë brenda kësaj jave një futbollist i Interit, me organizatorin e Kombëtares shqiptare, i cili do të kërkojë të bindë të gjithë se e meriton këtë transferim.

Pas akordit dhe takimit deciziv të së premtes, 20- vjeçari do të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare.

“Pirlo” i skuadrës së Empolit do të bëjë hapin e parë të madh të karrierës, pasi milanezët kanë paguar për të 4 milionë euro për huazimin njëvjeçar, ndërkohë që marrëveshja përfshin blerjen e detyrueshme për 10 milionë euro të tjera, 2 milionë bonuse për vazhdimësinë e aventurës tek Interi, plus huazimin e sulmuesit zikaltër, Martin Satriano në radhët e Empolit.

Në të njëjtën kohë e përditshmja prestigjioze “Gazzetta dello Sport” jep edhe indiciet e para lidhur me rrogën që do të përfitojë Kristjan Asllani.

Paga për sezonin e parë të shqiptarit nën ngjyrat zikaltër do të jetë 800 mijë euro, por ajo do të ketë një rritje progresive të vazhdueshme sezon pas sezoni, e cila mendohet të jetë mes 100 ose 200 mijë eurove vjetore.

Sido që të jetë, për 20- vjeçarin është një hap jo i vogël, duke menduar se tek Empoli ai ishte ende nën regjimin e kontratës së detyruar për lojtarët e rinj, e cila përfshin një rrogë bazë dhe fikse prej 120 mijë eurosh vjetore (tek Interi i është 7- fishuar).

Vizitat mjekësore për Asllanin janë paracaktuar këtë javë, pas së cilave lojtari do të firmosë kontratën e tij, në pritje për t’iu bashkuar urdhrave të trajneri Simone Inzagi më datë 6 korrik, në “Appiano Gentile”.

Kujtojmë që Interi për të arritur te Kristjani ka mundur edhe konkurrencën e Milanit, por jo vetëm, për ta bërë sa më shpejt të vetin (edhe përpara blerjeve të Romelu Lukakut dhe Paulo Dibalës) atë që pritet të jetë organizatori përpara mbrojtjes i së ardhmes interiste.

Për Asllanin do të jetë një sfidë shumë e madhe kjo që e pret, pasi jo vetëm kalimi nga provinca në elitë emocionalisht ndikon, por në Milano të gjithë janë të bindur se shqiptari mund të bëjë atë rolin “alla Pirlo”, i cili do të shtonte rrugët e qarkullimit të topit, por edhe rrezikshmërinë në lojën e Interit.

RELATED ARTICLES

Most Popular

Recent Comments