
Pas analizës së zhvilluar ditën e enjte në Bashkinë Shkodër me të gjithë drejtuesit e klubit, ekipi i Vllaznisë pritet të fillojë stërvitjen. Ajo do të nisë fillimisht me të gjithë futbollistët shkodranë dhe në ditët në vijim pastaj mund të ketë zhvillime të tjera sa i takon futbollistëve me të cilët drejtuesit kuqeblu kanë nisur kontaktet. Kjo është bërë e ditur edhe nga administratori Gjyrezi në komunikimin që ka patur për mediat kur ka deklaruar se baza e ekipit do të jetë e përbërë nga futbollistë shkodranë.
Por ndërkohë, nga lista e ekipit që mbylli sezonin e fundit, mund të ketë edhe largime futbollistësh. Kuptohet të atyre që nuk kanë plotësuar pritshmëritë e stafit teknik. Emrat nuk bëhen të ditur megjithatë mund të jenë 3-4 futbollistë të cilët pritet të mos jenë më pjesë e ekipit. Nga ana tjetër, në stërvitjen e parë të Vllaznisë pritet të ketë edhe disa elementë të ekipit U-19 të Akademisë i cili u shpall kampion i Shqipërisë pak kohë më parë. Kjo gjë ka dalë si prioritet edhe në takimin e zhvilluar në Bashki një ditë më parë. E rëndësishme është që puna do të nisë tashmë. Pikërisht dy muaj përpara nisjes së kampionatit. Skuadra duket në kohë me përgatitjet. Në ditët e ardhshme padyshim që do të ketë të reja të tjera sa i takon vendit të zhvillimit të fazës përgatitore apo dhe me merkaton. Vllaznia e sezonit të ri pritet të marrë tashmë rrugë dhe mbi të gjitha, pritet ta shohim me më shumë shkodranë se asnjëherë tjetër në këto vitet e fundit.
© shkodrasport.com


