Vllaznia ka afruar zyrtarisht 5 lojtarë të rinj në merkato, 3 shkodranë dhe 2 afrikanë. Portali vipsport.al ka bërë një analizë të detajuar të këtij fakti duke ngritur edhe problemin që do të ketë stafi teknik për menaxhimin e “pakënaqësive” të lojtarëve që do të përfundojnë në stol. Në këtë analizë shkruhet:
“Ajo që tërheq vëmendjen ka të bëjë me faktin se 4 nga lojtarët e ardhur janë mesfushorë, ndërkohë që reparti ku ata bëjnë pjesë ka qenë pak a shumë i kompletuar edhe pa bërë merkato.Janë të paktën 9 mesfushorë në dispozicion të trajnerit Armando Cungu. Si do t’i menaxhojë ai gjithë këta mesfushorë dhe kush rrezikon të qëndrojë në stol? Zgjedhjen e bën vetë trajneri shkodran, por një analizë hipotetike mund të bëhet në këtë moment.Nuredin Orelesi i “shpëton” stolit, sepse ai llogaritet si qendërmbrojtës te Vllaznia. Tre mesfushorët shkodranë të rikthyer në ekip, Gilman Lika, Edon Hasani dhe Erjon Vucaj, sigurisht që nuk janë marrë për në stol. Lika mund të luajë si sulmues i krahut të majtë, ndërsa Vucaj ndoshta do të luajë pas sulmuesit kryesor. Dyshimet më të mëdha janë për qendrën, ku veç Hasanit, maksimumi dhe dy të tjerë mund të jenë titullarë. Kjo do të thotë se Tafili, Krymi dhe Bardulla luajnë për 2 vende. Krymi duket i favorizuar për të qenë titullar.Në të djathtë mendohet të luajë Çinari, ndërsa aktivizimi i Likës nga minuta e parë do të ulte në stol Kalanë. Kjo është një zgjidhje logjike, por mbetet për t’u parë cilat do të jenë zgjedhjet e trajnerit Cungu. Në një kampionat të gjatë ka vend për të gjithë, por varet sa do ta durojnë stolin ata që do të jenë në të.
Mesfushorët e Vllaznisë:
Alsid Tafili
Ardit Krymi
Florind Bardulla
Edon Hasani
Gilman Lika
Erjon Vucaj
Erald Çinari
Arlind Kalaja
Nuredin Orelesi