Vllaznia është skuadra e tij e zemrës ashtu si për çdo shkodran dhe natyrisht që çdo fundjavë kur është lirshëm, nxiton të jetë në stadium për ta ndjekur atë. Brenda dhe jashtë Shkodrës. Bëhet fjalë për këngëtarin e mirënjohur, Mjeshtrin e Madh Bujar Qamili. Në një prononcim për gazetën “Shkodra Sport” ai shpreh bindjen e plotë se Vllaznia e sivjetme do të jetë krejt ndryshe nga ajo e një sezoni më parë.
“Jam i bindur se sivjet do të shohim në fushë një skuadër shumë më ndryshe nga ajo e një sezoni më parë që na la me zemër deri në sekondën e fundit. Shoh një organizim më të mirë të ekipit, kanë ardhur lojtarë cilësorë, sidomos ata të mesfushës dhe po ashtu, shoh që edhe kryebashkiakja ka vendosur t’i qëndrojë më pranë futbollistëve. Ecuria ka për të qenë e mirë dhe besoj se jo vetëm që do të jemi në gjysmën e parë të renditjes, por pse jo të synojmë deri në fund edhe Kupat e Europës”.
© shkodrasport.com