Nga Endri ÇINARI

Me rikthimin e kampionatit këtë fundjavë, ku do luhen edhe ndeshjet e javës së 7-të, Vllaznia do ketë ekipin thuajse 100% të plotësuar. Me shkodranët të cilët kanë rikuperuar disa nga elementët e tyre të skuadrës gjatë këtyre ditëve të pushimit.

Kështu vetëm Elmando Gjini do jetë një mungesë për trajnerin Martini në transfertën e Ballshit ndaj Bylis. Kjo për shkak se mbrojtësi e ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë e kësisoj do jetë i pezulluar për këtë takim.

Por, plotësimi i skuadrës duket se sjell opsione të shumta për stafin teknik të kuqebluve, që duhet të bëjë zgjedhjet në prag të duelit me mallakstriotët. Kështu opsionet për Martinin janë shtuar që nga porta e deri në sulm, ku duke filluar me rikthimin e portierit Jukaj.

I cili tashmë patjetër do “duelojë” me Pohls, për të rifituar fanellën e titullarit në katërkëndor. Edhe në mbrojtje pavarësisht mungesës së Gjinit, opsionet janë disa për të zëvendësuar 23-vjeçarin.

Duke nisur nga Kuros, që duket se ka kaluar momentin “jo”, me mbrojtësin që shënoi edhe në një takim miqësor brenda familjes kundër Vllaznisë B. Gjithashtu edhe mesfusha duket më e plotë me rikthimin e mundshëm edhe të Klinti Qatos. Pavarësisht se në këtë repart opsionet nuk mungojnë aspak për Martinin, duke qenë se është edhe reparti më i mbipopulluar në skuadër. Dhe mundësitë për të zgjedhur janë të shumta për trajnerin shkodran.

Edhe në sulm me kalimin e dëmtimit të Bismark, ofensiva kuqeblu bëhet më e “frikshme”. Ku ganezi patjetër që së bashku me Balajn i japin një potencë tjetër vijës së parë sulmuese të shkodranëve.

Në këtë mënyrë mundësia për të zgjedhur futbollistë është e madhe në rradhët e kuqebluve, që siç është theksuar edhe më parë, këtë edicion duken se janë skuadra më e plotësuar në kampionat. Ku pavarësisht çdo mungese që mund të ketë ekipi, opsionet për ta zëvendësuar janë të shumta.