Opinion nga Blendi DIBRA

 

Java e fundit e fazës së parë do përballte në fushën sportive të Peqinit ekipin vendas të Shkumbinit dhe Vllaznisë së Shkodrës.  Një ndeshje e cila vinte përballë dy ekipe të cilat kanë demostruar se kanë probleme të shumta në këtë kampionat duke patur luhatje si në lojë ashtu edhe në rezultate. Vllaznia nga ndeshja në ndeshje  filloi të mësohet me mungesa të formacionit bazë ku kësaj rradhe binte në sy mbi të gjitha mungesa e fituesit të topit të artë lojtarit të talentuar 20-vjecarit Armando Vajushi. Megjithatë një ditë përpara ndeshjes tekniku Vata do të deklaronte se Vllaznia udhëton në Peqin me synimin e vetëm për të marrë tre pikët. Mënyra se si rrodhën ngjarjet tregoj që Vllaznia ishte në fushë një ekip anemik një ekip ndonëse me djem të rinj por pa vrullin e duhur dhe duke mos justifikuar në asnjë moment optimizmin e teknikut kuqeblu përpara ndeshjes. Ndonëse jo një specialist futbolli ajo që bie në sy duke parë ndeshjen është mënyra e të luajturit. Djelmoshat e rinj të Vllaznisë nuk arrijnë të luajnë thjesht, me pasime të sakta dhe duke fituar hapsirën nëpërmjet kombinimeve gjeometrike në grup. Madje në dy tre raste si rezultat i teprimit në mbajtjen e topit u rrezikua seriozisht që humbja të ishte akoma dhe më e thellë. Gjatë pjesës së parë avantazhin e Peqinasve me anë të një 11-metërshi do ta barazpeshonte brenda 4 minutave i riu Edon Hasani i cili falë një veprimi të bukur në zonë barazon shifrat. Pak më vonë në të njëjtin pozicion i riu Markola do humbiste rastin më ideal për të kaluar kuqeblutë në avantazh. Në pjesën e dytë vlen të theksohet që sërish arbitri do të mohonte një penallti të pastër për një faull brenda zonës ndaj sulmuesit Jurgen Gjini por në pamundësinë për të justifikuar mos dhënien e penalltisë arbitri do të akordonte faull në dëm të mbrojtësit peqinas ndonëse ai ndodhej prapa Gjinit dhe objektivisht Gjini nuk kishte asnjë mundësi të shkaktonte faull ndaj tij. Peqinasit ishin më të rrezikshëm përpara portës dhe goli i shënuar nga sulmuesi më i mirë i kampionatit shqiptarë Roland Dervishi ishte mjaft i bukur duke shfrytëzuar me mjeshtri përgjumjen e mbrojtësit Smajli dhe portierit kuqeblu Vujadinovic. Ndonëse goli i realizuar ishte mjaft i bukur vlen të theksohet edhe një fakt, një gjest i shëmtuar nga shënuesi i golit Roland Dervishi i cili meritonte kartonin e verdhë për heqjen e fanelës e cila ju akordua nga arbitri i takimit, por meritonte dhe kartonin e kuq për heqjen e të mbathurave, një veprim jo etik dhe fyes ndaj stemës dhe emrit të klubit dhe sportdashësve në stadium dhe atyre që e ndiqnin nga ekrani. Duke u nisur edhe nga komentet e teknikut Vata i cili me profesionalitetin e tij ka deklaruar përpara sportdashësve që qëllimi nuk është të merremi me albitra pasi duhet ta demostrojmë në fushë që mundemi të bëjmë diferencën me kundërshtarin, loja në tërësi nuk tregoj në asnjë moment që ekipet kishin diferenca ndërmjet tyre madje duhet theksuar se Shkumbini ishte më i qartë si ekip taktikisht ndërsa tek kuqeblutë më tepër spikaste ndonjë individualitet si Markolaj, i cili po afirmohet nga ndeshja ne ndeshje, sesa loja kolektive si skuadër. Tekniku kuqeblu sot, ashtu siç deklaroi, nuk arriti tek fitorja në Peqin, madje as tek barazimi prandaj si profesionist që është sportdashësit shpresojnë që ai do të arrij të marrë vendimet e duhura, pasi objektivat arrihen në përputhje me gjendjen e ekipit dhe jo me deklarata! Sot humbja duhet analizuar përtej një ndeshje pasi kohë për eksperimente nuk ka më, prandaj le të shërbejë kjo periudhë pushimi për një reflektim të thellë duke nxjerr konkluzionet e duhura, duke kuptuar edhe njëherë që sporti është një lojë kolektive pjesë e së cilës përvec lojtarëve janë edhe drejtuesat të cilët duhet të krijojnë jo vetëm kushtet e nevosjhme por edhe ambjentin e duhur që lojtarët të japin maksimumin në fushë.