Java e tretë e kategorisë së dytë ka qenë e suksesshme për tre prej ekipeve veriore të cilët kanë marrë fitore të rëndësishme dhe që do t’i ndihmojnë në ecurinë e tyre të mëtejshme. Si rrjedhojë e këtyre sukseseve, lojtarët e tyre kanë “pushtuar” edhe formacionin më të mirë të kësaj jave.

Besëlidhja kryesuese ka në këtë formacion tre futbollistë dhe pikërisht mbrojtësat Ramilli dhe Sander si dhe sulmuesin Rraboshta. Po ashtu edhe trajneri i saj, Elvis Plori është zgjedhur trajneri më i mirë i javës së tretë të kampionatit të kategorisë së dytë.

Nga ana tjetër, KF Shiroka për atë fitore 3-1 ndaj Veleçikut ka të përfshirë në formacionin më të mirë të javës dy futbollistë, pikërisht mesfushorin e njohur Erjon Vucaj si dhe sulmuesin Ogungbire.

Për t’u veçuar këtë javë ishte fitorja e Basanias 3-2 ndaj Luzit pretendent dhe si rrjedhojë tre prej futbollistëve të saj janë përzgjedhur në formacionin e më të mirëve. Bëhet fjalë për futbollistin me shumë përvojë Taulant Nikshiqi, mesfushorin Klaudio Leka si dhe mbrojtësin 19 vjeçar Dejvi Lesha.

Ky i fundit ka ardhur nga Akademia Vllaznia dhe trajneri Haxhiosmanoviç po i jep besimin e duhur duke e aktivizuar si titullar dhe Lesha menjëherë ka spikatur me aftësitë e tij duke qenë një pikë e fortë për skuadrën e Basanias.(www.shkodrrasport.com)