Nga Endri ÇINARI

Pavarësisht humbjes së fundit në kampionat kundër Flamurtarit në shifrat 1-0, në kuadër të javës së 9-të të Superiores, asgjë nuk është lëkundur në kampin e Vllaznisë. Disfata në Vlorë patjetër nuk ka lënë një shije të mirë, por nuk është aspak për të vënë në panik skuadrën. Me stafin teknik të kuqebluve që do analizojë arsyet e kësaj ndalese, pas 4 fitoreve rradhazi në kampionat. Megjithatë humori duket se nuk ka ndryshuar aspak në rradhët e 9 herë kampionëve të vendit.

Ku humori dhe fryma pozitive mbizotëron në skuadër e po ashtu edhe në ambientin që e rrethon klubin. Duke e konsideruar këtë humbje ndaj Flamurtarit si një ndalesë “normale” përsa i përket rrugës së gjatë të kampionatit. Dhe me Vllazninë që udhëheq tabelën e klasifikimit pas përfundimit të fazës së parë, gjithçka duket në rrugën e duhur për objektivat e kuqebluve këtë sezon. Ku synohet fitorja në çdo duel dhe titulli kampion në muajin maj, që mungon prej 25 vitesh në Shkodër.

Në këtë mënyrë mendja e futbollistëve dhe stafit të Vllaznisë shkon menjëherë tek ndeshja e rradhës në kampionat. Ku shkodranët do jenë sërish vizitorë në Rrogozhinë tashmë kundër Egnatias. Një duel që ka spikatur në sezonet e fundit në Superiore e po ashtu edhe kësaj rradhe luhet për vendin e parë në kampionat.

Me Vllazninë që nuk stepet në asnjë moment e do kërkojë reagimin e menjëhershëm në Rrogozhinë pas disfatës në Vlorë ndaj Flamurtarit. E kështu skuadra duket më shumë se e motivuar dhe në një gjendje optimale psikologjike.(www.shkodrasport.com)